Raporti konfirmon nevojën për rritjen e transparencës në Komuna
Prishtinë, 12 nëntor - Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2015 ka vënë në pah edhe njëherë nevojën që pushteti i nivelit lokal të rris transparencën në vendimmarrje, gjë që përputhet edhe me thirrjet e vazhdueshme të shoqërisë civile në Kosovë.
Një tjetër çështje që përmendet në Raport, e ku po ashtu mund të tërhiqen paralelet me Komunat e Kosovës, ka të bëjë me pamjaftueshmërinë e transparencës buxhetore.
Në këtë Raport janë marrë parasysh përpjekjet e qeverisjes lokale në Kosovë për përmirësimin e kapaciteteve dhe vendimmarrjen në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, por po ashtu është vënë në pah nevoja që Komunat e Kosovës të vazhdojnë angazhimet për rritjen e transparencës.
Përpjekjet e qeverisjes lokale duhet të vazhdojnë për rritjen e transparencës në vendimmarrje dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendeve të Komunave, thuhet në Raport.
Ndërkohë Raporti në pjesën ku përshkruan zhvillimet në menaxhimin e financave publike në Kosovë thekson se transparenca buxhetore është e pamjaftueshme, gjë që vlen edhe për Komunat e Kosovës.
Në veçanti, informatat mbi buxhetin duhet të jenë më të besueshme dhe më të hollësishme për të fuqizuar llogaridhënien. Prezantimi i informatave kryesore buxhetore në mënyrë të qasshme do të krijojë besim te publiku dhe do të kontribuoj në përmirësimin e marrëdhënieve qytetar-shtet, thuhet në Raport.
Shqetësimet lidhur me çështjet e lartpërmendura janë ngritur shpeshherë nga EC Ma Ndryshe.
Prandaj, konstatimet e Raportit të Komisionit Evropian duhet të kuptohen drejtë nga Komunat e Kosovës, të cilat duhet të marrin veprime të menjëhershme për rritjen e transparencës në vendimmarrje dhe menaxhim të buxhetit, si dhe të mundësojnë mbikëqyrje më efektive nga Kuvendet e Komunave.
Njëkohësisht i bëjmë thirrje edhe ministrive të linjës në Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrin veprime të duhura në mënyrë që të kemi përmirësimin thelbësor në transparencën e nivelit komunal.
Projektin Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë.
Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.