Raportet mes Kosovës dhe Malit të Zi shembuj të mirë të fqinjësisë
Prishtinë, 4 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti delegacionin e Malit të Zi, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e hapjes së Forumit të Miqësisë Kosovë Mali i Zi Radovan Zogoviq, i kryesuar nga ministri malazez i kulturës, Branisllav Miçunoviq.
Ministri malazez i kulturës, Miçunoviq, shfrytëzoi rastin për ta falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen e ngrohtë që i është bërë delegacionit të Malit të Zi, si nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës, ashtu edhe nga ato kulturore, duke e konsideruar promovimin e Forumit si thellim të bashkëpunimit midis dy vendeve.
Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi ministrin Miçunoviq për vizitën dhe shprehu mirënjohje për qeverinë dhe popullin malazez, për përkrahjen e Kosovës, njohjen e pavarësisë dhe mbështetjen në bashkëpunim rajonal.
Raportet e mira midis Kosovës dhe Malit të Zi janë shembuj të mirë të fqinjësisë në rajon dhe tregues se dy vendet ndjekin rrugën e vlerave evropiane, me synimet e përbashkëta për integrim në Bashkimin e Evropian tha mes tjerash kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi e njoftoi delegacionin nga Mali i Zi me të arriturat Kosovës në zhvillimin ekonomik , në infrastrukturën rrugore, për arritjen e Marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel ,si dhe për integrimin dhe avancimin e bashkësisë së popullatës malazeze në institucionet e Kosovës.