Raport pozitiv për dialogun, pa rekomandim për heqjen e vizave
Prishtinë, 10 dhjetor - Në kohën kur në Kosovë është krijuar një optimizëm i madh se para përfundimit të këtij viti Komisioni Evropian do të dalë me rekomandim të prerë për heqjen e vizave Kosovës, duke konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, në Bruksel nuk japin lajme të mira në këtë drejtim edhe pse përmendet se Kosova, pa dyshim, ka shënuar progres.
Zyrtarët e BE-së nuk e ndajnë mendimin dhe vlerësimin e kryeministrit të Kosovës se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo do të jetë e qartë edhe në Raportin që Komisioni Evropian pritet ta përmbyllë diku javën e ardhshme. Sipas burimeve diplomatike në Bruksel në këtë raport do të vlerësohet përparimi i Kosovës, do të thuhet se janë përmbushur shumica e madhe e kritereve, por jo të gjitha. Për momentin përmendet numri prej 9 kushteve që mbeten për tu përmbushur në të ardhmen.
Pa përmbushjen e tyre Komisioni nuk mund të bëj rekomandimin për heqjen e vizave dhe nuk mund të nis procedurat e nevojshme në Këshillin e BE-së.