Ramushi pati ftesë
Prishtinë, 20 shkurt - Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj nuk i kanë ftohur raportet. Kështu ka thënë Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke iu referuar mungesës së Ramush Haradinaj në shënimin e 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në këtë intervistë për Epokën e re Isufi ka bërë me dije se Haradinaj kishte ftesë nga kryeministri Thaçi dhe presidentja Atifete Jahjaga për të qenë në ceremoninë shtetërore për shënimin e 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Siç e dini, z. Haradinaj para disa ditësh ka qenë në një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Me rastin e krijimit të agjendës të tij, ka paraparë ta ketë në agjendë edhe shënimin e 5-vjetorit të pavarësisë.
Ftesat kanë ardhur, por Haradinaj i është përmbajtur agjendës së vet, ka deklaruar Isufi, duke shtuar se AAK-ja do të vazhdojë ta luajë rolin e saj opozitar dhe nuk do të jetë indiferente ndaj asnjë zhvillimi politik, që është në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Ne do të bëjmë përpjekje për ta luajtur rolin tonë opozitar, e atëherë kur jemi të bindur se qeveria është duke bërë hapa të gabuar do ta kritikojmë.
Ndërsa kur është në pyetje niveli i funksionimit shtetëror, si parti politike do ti përkrahim të gjitha iniciativat të cilat do ti çojnë proceset përpara, është shprehur Isufi.