Ramush Haradinaj pro koalicionit me PDK-në
Prishtinë, 7 shkurt - Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka thënë po koalicionit me PDK-në, pavarësisht se sekretari i partisë Burim Ramadani të dielën mbrëma ka deklaruar se mesazhi i kryetarit Haradinaj është të hyhet në koalicion me të vetmin kusht, nëse kryetari i PDK-së dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi nuk do të jetë kryeministër.
Lajmi është konfirmuar nga burime me tre zyrtarët e AAK-së që kanë qenë në Hagë, Ahmet Isufi, Blerim Kuçi dhe Ali Berisha.
Sipas këtij burimi, ata gjatë të së premtes kanë udhëtuar për në Hagë dhe janë pritur nga Ambasadori i Kosovës në Holandë, ndërsa të shtunën janë takuar me Ramush Haradinajn, i cili i ka thënë po koalicionit dhe nuk ka vendosur kusht që kryeministri në largim Hashim Thaçi të jetë apo jo kryeministër.
Për koalicion me PDK-në janë shprehur edhe të gjitha degët e AAK-së, ndërsa i vetmi modalitet që ka mbetur të diskutohet është nëse kjo parti do të marrë presidentin dhe katër ministri apo një zëvendëskryeministër dhe gjashtë ministri të tjera.