Rama: Të papranueshme zgjedhjet serbe në Kosovë
Prishtinë, 29 mars - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, priti ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi.
Gjatë takimit Rama rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Socialiste, në mbështetje të popullit, Qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës si dhe siguroi ambasadorin Selimi për vullnetin e plotë të forcës politike që ai drejton, sa i përket forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit shumëplanësh mes të dyja vendeve.
Edi Rama, shprehu admirim dhe respekt për kurajon dhe vizionin e luftëtarëve të UÇK-së e për arritjet e Qeverisë së Kosovës, në drejtim të ngritjes dhe konsolidimit të institucioneve shtetërore si dhe të forcimit të pozitës ndërkombëtare të saj.
Sipas Kryetarit të Partisë Socialiste, organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë është një akt i papranueshëm dhe i paligjshëm dhe në këtë kuadër, Rama mbështet pa rezerva qëndrimin e Qeverisë së Kosovës.
Gjithashtu, gjatë takimit Rama përshëndeti arritjet e rëndësishme të Kosovës, në drejtim të avancimit të axhendës evropiane, shkruan Koha.
Nga ana e tij, Ambasadori Sylejman Selimi, falënderoi Partinë Socialiste për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi do të intensifikohet më tej në të ardhmen.