Rama ndryshoi imazhin e Shqipërisë
Prishtinë, 15 korrik - Veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, meriton notë të lartë për qeverisjen e shtetit shqiptar.
Në këtë bisedë për Epokën e re, Demaçi ka thënë se Edi Rama në 300-ditëshin e parë të qeverisjes ka bërë kthesë historike kombëtare.
Unë mendoj se kjo është kthesa e madhe kombëtare, e cila është pritur qysh prej kalimit nga sistemi njëpartiak në sistemin shumëpartiak. Kjo kthesë ka pasur mundësi të bëhet edhe më përpara, por kjo vonesë ka ndodhur për shkaqe të shumta, të brendshme dhe të jashtme.
\"Ardhja e Edi Ramës dhe shpalosja e projektit të përgjithshëm kombëtar e ndërkombëtar dhe arritja e tij që për një kohë kaq të shkurtër, që ta bindë Evropën që me të gjithë të metat e mëdha që janë të pranishme në Shqipëri dhe në hapësirat shqiptare, shteti shqiptar ta marrë statusin e vendit kandidat për të aderuar në Bashkim Evropian. Po ashtu, Edi Rama tregoi suksese edhe në eliminimin e problemit Lazarat, edhe pse ende kanë mbetur disa bishta të tillë anembanë trojeve shqiptare. Këto janë dy suksese të mëdha, të fuqishme, të cilat duhet të kihen parasysh kur mendohen këto 300 ditë, ka deklaruar Demaçi.
Ai ka thënë se për këto 300 ditë Rama ka arritur ti heqë disa barriera të panevojshme midis Shqipërisë dhe Kosovës. Rama ka arritur të bëjë edhe disa reforma të brendshme.
Po ashtu, duhet vlerësuar përpjekjet e tij për ti paguar borxhet që kanë mbetur nga qeveria e Salës, një shumë bukur e madhe, diku 700 milionë. Ka kryer disa rrugë që kanë mbetur në gjysmë dhe disa të tjera që janë bërë shkel e shko. Ai gjatë këtyre 300 ditëve është marrë edhe me ndërtimet pa leje, të cilat janë në kundërshtim me urbanizimin, ka thënë Demaçi, duke e vle
rësuar pozitivisht edhe punën e Edi Ramës në arenën ndërkombëtare. Duhet vlerësuar edhe puna e tij në rrafshin e jashtëm.
Edi Rama ka vendosur kontakte me të gjitha shtetet, duke filluar nga Amerika, Evropa, Kina, Gjermania etj. Marrja e mbështetjes serioze nga Gjermania, që të ndërhyjë në shumë pika të domosdoshme për të drejtuar shumë probleme të cilat janë të lidhura me ekologjinë dhe me prodhimin e energjisë elektrike etj. Me fjalë të tjera, ardhja e Gjermanisë me një seriozitet që ti ndihmojë Shqipërinë dhe Kosovën është gjithashtu, sipas mendimit tim, një sukses shumë i madh të cilin e ka arritur politika e Edi Ramës, të cilën e ka realizuar në këtë pështjellim të madh dhe në këtë krizë të madhe ekonomike, është shprehur Demaçi.
Ai ka thënë se kur të flasim për politikën e Edi Ramës duhet të kemi kujdes në atë se çfarë themi sepse, sipas tij, ndryshimet e mëdha nuk janë të lehta. Kthesat politike dhe ekonomike kanë probleme sepse disa shtesa, disa njerëz e ndjejnë veten të goditur. Kur bëhet ndryshimi i madh dikë e prekin. Nuk është e mundur që të gjithë të jenë të kënaqur, por trendi i përgjithshëm është pozitiv, ka thënë Demaçi.