02 Shkurt 2025

Qosja: Rama u dëshmua si lider i rajonit

Tiranë, 11 nëntor - Akademiku Rexhep Qosja tha se vizita e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd ka rëndësi shtetërore se e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

“Rama u dëshmua jo vetëm kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët”, tha Qosja.

“Ka rëndësi sepse e dëshmon përkushtimin e Shqipërisë për inkuadrim në Bashkimin Evropian. Ka rëndësi shtetërore sepse dëshmon përkushtimin e Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një shtet me të cilin Shqipëria ka sot marrëdhëniet më të mira në historinë e saj.\"

\"Ka rëndësi për përkushtimin ndaj SHBA sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshirojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e dëshirojnë në përgjithësi normalizimin e marrëdhënieve shqiptare – serbe pas gjithë atyre që kanë ngjarë. Kjo vizitë e Edi Ramës në Beograd ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, për zhvillimet e mëtejshme Kosovë – Serbi”, ka thënë Qosja, për emisionin “Shqip” të TCH, transmeton Koha.net.

I pyetur se si i është dukur qëndrimi i kryeministrit Rama në Beograd, Qosja ka thënë se e ka ditur që “kryeministri i Shqipërisë me përgatitjen që ka, me përvojën që ka, me dhuntinë politike dhe intelektuale që ka, do të jetë sipëror në atë takim, në ato bisedime dhe u tregua kjo që në momentet e para, sidomos në konferencën me gazetarët”.

Ndërkaq, për qëndrimin e kryeministrit serb Vuçiq, Qosja ka thënë se si Vuçiqin, ashtu edhe Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i njeh që kur ka qenë fëmijë, duke theksuar se Vuçiq ka qenë konsomolas i Sheshelit dhe i partisë së tij dhe Daçiq ishte komsomolas i Millosheviqit dhe i partisë së tij socialiste.

Më tej, akademiku Qosja tha se Rama në fjalën e tij tha shumë gjëra të vërteta që në Serbi nuk dëgjohen me dëshirë pasi që Serbia nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare në mënyrë të veçantë nuk është çliruar prej mitologjisë së saj mesjetare për Kosovën, dhe se ata kanë ende iluzione, kanë trashëguar dhe disa paragjykime ndaj shqiptarëve e nuk mund të lirohen lehtë prej tyre.

“Edi Rama tha shumë të vërteta që i godasin paragjykimet e tyre, që godasin mitologjinë e tyre. Ata e kanë shpallur veten një popull qiellor. Popujt qiellorë nuk kanë dhunti, nuk kanë talent, nuk kanë shumë mendje për jetën e përditshme, për ato që ndodhin në tokë, prandaj edhe Serbia e përfundoi shekullin e 20-të me shumë tragjedi që i shkaktoi vetes por shumë më tepër që u shkaktoi popujve të tjerë në Jugosllavi, në mënyrë shumë të veçantë shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve”, u shpreh Qosja.

Qosja tha se këtë vizitë mund ta shikojmë në kontekstin e takimit në Berlin, është vazhdimi i asaj që u bë në Berlin.

“Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë dëshmoi një superioritet politik, në të vërtetë edhe në Berlin, e dëshmoi. Tani edhe më fort në Beograd. Edi Rama, e them me kënaqësi të veçantë, u dëshmua jo vetëm kryeministri i Shqipërisë, praktikisht ai u dëshmua si lider i rajonit dhe kjo është me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët”, u shpreh akademiku Rexhep Qosja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)