06 Maj 2024

Qorraj: Jemi si ministri e rinisë

Prishtinë, 24 janar - “Duke ndier rëndësinë e rinisë, duke parë aktivitetet e saj dhe përcjell interesimin e saj, “Epoka e re” në të ardhmen do të lë hapësirë edhe më shumë për të jo vetëm në gazetë, por edhe në uebfaqen e saj, e cila deri në fillim të muajit tjetër do të hapet”, është shprehur Mal Qorraj, kryeredaktor në gazeten \"EPOKA E RE\".

Intervistoi: Albulena Mavraj

Youth Press Kosova: Redaksia e gazetës “Epoka e re” sa u jep hapësirë të rinjve për promovimin e aktiviteteve rinore?

Qorraj: Dëshiroj t’ju përgëzoj për hapjen e portalit Youth Press Kosova, rëndësisë së të cilit iu gëzuam edhe ne kur raportuam atë ditë në gazetë për hapjen e tij.

Sigurisht se është lajm i mirë kur dëgjojmë se rinia jonë, edhe pse nuk gëzon mbështetjen sa duhet nga institucionet e Kosovës, ka vullnetin të themelojë një medium për të rinjtë e Kosovës dhe ta menaxhojë vetë, t’i përkrahë të rinjtë më shumë se cilado medie tjetër e shkruara dhe elektronike.

Ndërsa sa i përket gazetës “Epoka e re”, se sa u jep hapësirë të rinjve për promovimin e aktiviteteve rinore, gazeta jonë është një “ministri e vogël”, “njëfarë ministrie e rinisë”, e cila nuk u ndihmon të rinjve materialisht, por gjithherë është në shërbim të tyre në të gjitha rubrikat: në rubrikën e politikës, ekonomisë, arsimit, kulturës, sportit dhe atë të opinioneve.

Në këto rubrika, përpos që pasqyrohen aktivitetet e të rinjve nga gazetarët e “Epokës...”, në shumë raste ata dalin edhe si autorë të shumë teksteve. Kohët e fundit duhen veçuar tekstet e studentëve të gazetarisë të Universitetit të Prishtinës, të cilëve u lihen rreth dy faqe hapësirë për t’i shprehur shqetësimet dhe për t’i dhënë idetë për zgjidhjen dhe shmangien e problemeve.

Duke ndier rëndësinë e rinisë, duke parë aktivitetet e saj dhe përcjell interesimin e saj, “Epoka e re” në të ardhmen do të lë hapësirë edhe më shumë për të jo vetëm në gazetë, por edhe në uebfaqen e saj, e cila deri në fillim të muajit tjetër do të hapet.

Youth Press Kosova: Cili është kontributi juaj që keni dhënë deri më tani në përkrahjen e aktiviteteve rinore?

Qorraj: Unë jam udhëheqës i detyrës së kryeredaktorit në “Epokën e re”. Përpos që informohem nëpërmjet njoftimeve në postat elektronike për aktivitetet e ndryshme rinore, informohem edhe nëpërmjet miqve.

Po ashtu, në çdo mbledhje ditore që mbaj me stafin e “Epokës së re” në mëngjes diskutojmë dhe pyes mos ka ndonjë aktivitet të të rinjve në qytet. Nëse marrë informacion se mbahet ndonjë, menjëherë e angazhoj një prej gazetarëve ta përcjellë atë aktivitet dhe ta prezantoj sa më gjerë, duke i lënë hapësirë asaj ngjarje edhe në ballinën e gazetës.

Nëse më pyesni si gazetë, them se kemi bërë dhe jemi duke bërë mjaft për të rinjtë, ndërsa nëse më pyesni si gazetar, unë që një kohë jam udhëheqës i detyrës së kryeredaktorit.

Pra, nuk raportoj, por i angazhoj gazetarët të raportojnë për aktivitetet e të rinjve. Megjithatë, pak ka rëndësi se kush nga ne e përcjell, rëndësi ka që po u shkojmë pas aktiviteteve të tyre dhe po e ndjejnë praninë tonë.

Youth Press Kosova: Studentët e gazetarisë e kanë të nevojshme publikimin e shkrimeve në mediet e shkruara në Kosovë. Sa e kanë përkrahjen e gazetës suaj?

Qorraj: Bashkëpunim nuk kemi vetëm me studentët e gazetarisë, ani pse ka dy muaj që kemi filluar bashkëpunim më të gjerë me ta, rreth botimit të teksteve të tyre.

T’ju kujtoj se, bashkëpunim dhe hapësirë “Epoka e re” u ka dhënë e lënë edhe studentëve të Fakultetit të Arteve, të atyre të Degës së Dizajnit Grafik, të cilët, një pjesë e madhe e tyre, kanë ardhur në “Epokën e re” e kanë kryer praktikën e dizajnit.

Ka pasur edhe nxënëse të shkollës së mesme të cilat, pasi e kanë mësuar zanatin e dizajnit në Epokën e re”, u është lëshuar edhe një vërtetim, për nevoja të tyre personale, se e kanë kryer praktikën e dizajnit në këtë gazetë dhe kanë bërë punë të mirë.

 Por, interesim më të madh kanë shfaqur studentët e gazetarisë të UP-së, kolegët e juaj, të cilët sigurisht se ndjehen mirë kur një gazetë ua jep mundësinë t’i thonë ato që i kanë shkruar diku, që i kanë lexuar edhe para profesorëve e kolegëve të vet. Jo vetëm këta dy muaj, por sa herë kanë nevojë jemi në shërbim të tyre. Epoka ka pronar: ajo është e pronë e lexuesve, e të rinjve.

Youth Press Kosova: Në cilin zhanër të gazetarisë ka interesim nga studentët për publikimin e shkrimeve?

Qorraj: Po e provojnë veten më shumë në zhanrin e analizës, megjithëse nuk u mungojnë as raportet, reportazhet, recensionet, të cilat do të mund të praktikoheshin e mësoheshin më mirë nëse bëhet punë praktike në ndonjë gazetë.

E “Epoka e re” të gjithë studentëve të gazetarisë ua mundëson që një praktikë prej dyjavësh ta kryejnë te ne. Në ato analiza të tyre ka ide interesante, edhe zhvillim të tekstit të mirë, mirëpo shqetëson pak përdorimi i gjuhës shqipe, i cili ka të meta. Gazetar i mirë bëhet ai që, përpos zhdërvjelltësisë, talentit, di ta shkruajë gjuhën shqipe mirë.

Youth Press Kosova  : Sa mendoni se përkrahja e të rinjve mund të ndikojë në stimulimin e tyre?

Qorraj: Në vendet e zhvilluara, aty ku mosha e rinisë nuk është shumë e madhe, i gjithë shteti e populli mbajnë sytë kah rinia. Tek ne, përpos Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me disa organizata të huaja, tjetërkush pak ka interesim për të rinjtë, prandaj ata kohën e lirë e kalojnë në rrjete sociale, në kafene, në rrugë.

Por, shpresoj se, pasi të përmbyllen projektet e mëdha që ka paraparë Qeveria, asfaltimet e rrugëve, angazhimin më të madh në vitet e ardhshme ta ketë për rininë, se si ta ndërtojë një rini të shëndoshë.

Shembuj të mirë për ndërtim të shëndoshë ka plot, vetëm i duhen vullnet e para për t’i stimuluar të rinjtë, të cilët nuk shpenzojnë shumë para sa shpenzojnë kohë kot.

Youth Press Kosova  : Ka interesim te të rinjtë për të botuar shkrime në gazetën tuaj?

Qorraj: Ndoshta para se ta them këtë fjalë është dashur të pyes e këshillohem edhe me stafin e gazetës, me botuesin dhe drejtorin e përgjithshëm të gazetës, por po flas pa marr edhe mendimin e tyre. Gazeta “Epoka e re” po i mbush 13 vjet prej që është themeluar.

Shumica e gazetarëve të saj kanë qenë të rinj, studentë, që ia kanë filluar punës në gazetë si praktikantë e ndërkohë, pasi i kanë marrë këmbët, kanë gjetur vend të punës qoftë në fakultet, qoftë në radio, qoftë në televizion.

Nuk po flas për gjeneratën e studentëve të botuesit të gazetës, i cili ua hapi dyert e “Epokës...” të gjithë atyre studentëve që deshën ta bënin praktikën e punës së gazetarit në epokë, e disa prej të cilëve u ndalën të punojnë në të, por po flas që prej themelimit të saj.

Pra, që nga ajo kohë “Epoka e re” ka nisur themelimin me rini, me djem të rinj, të cilët u bënë shtylla të forta të gazetarisë dhe të “Epokës...”, të cilët edhe sot e përmendin shkollimin e tyre praktik: “se së pari kam filluar punën në ‘Epokën e re’”.

Dhe përpos krenarisë së tyre, edhe “Epoka e re”, kur sheh arkivat e tekstet e tyre e kujton në përvjetor të gazetës emrat e tyre, ndjehet krenar për gjithë ata që kanë punuar në të.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)