Qeveria vlerëson se protesta është krejtësisht e panevojshme
Prishtinë, 22 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson edhe një herë faktin se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Kjo e drejtë sipas qeverisë nuk do të vihet asnjë herë në pikëpyetje, mirëpo një gjë e tillë nuk mund të keqpërdorët nga askush dhe për asnjë qëllim.
Qeveria është duke ndjekur nga afër zhvillimet e sotme që ndërlidhen me protestën politike të Lëvizjës Vetëvendosje.
"Kjo protestë që është krejtësisht e panevojshme dhe në kundërshtim me vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, mirëpo Policia e Kosovës është përkujdesur që liria e lëvizjës të jetë e garantuar dhe që rrugët të mos bllokohen", thuhet në deklaratën e qeverisë.
Qeveria i jep mbështetje të plotë Policisë së Kosovës në zbatimin e plotë të kompetencave ligjore për mos lejimin e bllokimit të rrugëve, pengimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe të mallrave, apo marrjen nën kontroll të pikave kufitare shtetërore.
Qeveria shpreh konsideratën e saj të lartë për qytetarët e Kosovës, të cilët janë distancuar nga veprimet e tilla të panevojshme politike të nxitura nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilat në mënyrë serioze e dëmtojnë imazhin e shtetit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës siguron të gjithë qytetarët e saj se është shumë e përgjeshme në respektimin e vendimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat janë në përputhje me aspiratat tona për integrime euro-atlantike.
Prandaj, sipas qeverisë protestat politike të Lëvizjës Vetëvendosje nuk do të mund të lëkundin themelet e shtetit tonë demokratik, i cili është i përcaktuar për fqinjësi të mirë, për ekonomi të tregut të lirë dhe për integrime euro-atlantike.