18 Janar 2025

Qeveria, thirrje për pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje më 3 nëntor

Prishtinë, 7 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt me aprovimin e vendimeve dhe projekt rregulloreve nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi  ka thënë se procesi i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit  në mes të shtetit të  Kosovë dhe Serbisë është duke vazhduar.

Ekipet teknike dhe profesionale janë duke zhvilluar takime të reja në Bruksel, në veçanti është në përmbyllje e sipër i gjithë procesi i IBM-it, gjë që nënkupton edhe fillimin e ndërtimit të objekteve moderne në pikat kufitare në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pra në gjashtë pikat kufitare. Siç edhe dihet, mbulimin financiar do ta bëj Komisioni Evropian. E gjithë kjo është në përputhshmëri me marrëveshjet e arritura më herët.

Ndërsa, është duke u diskutuar edhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, pra në të njëjtën ditë, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

\"Kemi besim të plotë se zgjedhjet do të jenë fer, të lira, demokratike dhe të konkurrencës së lirë. Ne i kemi bërë ftesë edhe baroneshës Ashton që të dërgojë një ekip të vëzhguesve, sa më të madh, në mënyrë që të kemi një proces të vëzhguar  nga afër. Komisioni Qendror Zgjedhor është duke kryer punët e veta, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës do të kryej të gjitha obligimet që ka ndaj këtij procesi\", ka theksuar Thaçi.

Ai ka ftuar edhe njëherë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës,  për pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje më 3 nëntor. 

Në të njëjtën kohë sipas tij është mirë që të gjitha partitë politike kanë filluar përgatitjet. Dhe, këto përgatitje kanë filluar edhe në veri, nga spektri politik, lëvizjet qytetare, apo edhe kandidatë të pavarur.

\"Në emër të Qeverisë së Kosovës, edhe njëherë sot i ftoj të gjithë njerëzit, edhe në veri të Mitrovicës, qytetarët serb,  që t’i bashkëngjiten projektit për rend demokratik, demokraci, për pluralizëm demokratik, për konkurrencë , për një konkurrencë të lirë, të vizioneve të ndryshme, për Kosovën e re, për Kosovën evropiane.\"

\"Pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është një mundësi e re, është një garanci e përbashkët se do ta ndërtojmë Kosovën tonë bashkërisht”, ka thënë  kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes.
 
Në vazhdim, kabineti qeveritar ka miratuar projekt rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm të kësaj ministrie, dhe organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrjen e saj.

Në këtë mbledhje është aprovuar edhe Strategjia për Cilësinë e Ajrit dhe Plani i Veprimit 2013-2017, që ka për qëllim të zhvillojë dhe zbatojë instrumentet e caktuara, me qëllim të ngritjes së cilësisë së jetës, duke siguruar bazën për përmirësim të cilësisë së ajrit. Strategjia dhe plani i veprimit synojnë të rrisin nivelin e mbrojtjes dhe zvogëlimin e ndotjes së ajrit, në pajtim me standardet e përcaktuara të Bashkimit Evropian dhe të praktikave më të mira.

Me kërkesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shtyrë miratimin e vendimit për negocimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit, lidhur me rregullimin e punësimit të fuqisë punëtore nga Kosova në këtë shtet. Ministri i Punëve të Jashtme ka rekomanduar që raportet e Kosovë me shtetet e Gjirit Persik të kenë qasje të përbashkët, andaj edhe ka sugjeruar një analizë të përbashkët të këtyre raporteve, dhe javën e ardhshme Qeveria të miratoi vendimin për fillimin e negociatave me Katarin.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Planit të Dokumenteve Strategjike për vitin 2013, duke përfshirë edhe hartimin dhe miratimin e Planit për Zhvillimin e Zonave Ekonomike 2013-2018.

Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme nga Qeveria e Republikës të Kosovës, janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 700,000.00 (shtatëqindmijë) Euro, për mbështetjen e implementimit të reformave ekonomike për përmirësimin e mjedisit afarist dhe tërheqjes së investimeve në Republikën e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)