Qeveria: Themelimi i komunës se Prilluzhës është shpikur nga opozita
Prishtinë, 18 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, lidhur me protestën e thirrur për sot nga tri partitë opozitare në Vushtrri, ka deklaruar se arsyeja e thirrjes së saj është krejtësisht e pavërtetë dhe e shpikur nga këto subjekte.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në asnjë moment nuk është biseduar me askënd për themelimin e asaj që përfaqësuesit opozitarë e kanë pagëzuar si komunë e Prilluzhës dhe se ajo nuk është në plan që të realizohet.
Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se thirrja e qytetarëve në një protestë kundër një komune të cilën e kanë trilluar vetë subjektet opozitare është konfirmim i plotë i faktit se tre partitë opozitare po sajojnë kauza për përfitime politike, duke u përpjekur të polarizojnë shoqërinë kosovare dhe të destabilizojnë, mbi baza të ndryshme, situatën në vend.
\"Pretendimet për krijimin e komunës së Prilluzhës, janë një sajim i radhës i tri partive opozitare, të cilat pas diskreditimit publik të kauzave të deritashme dhe metodave jodemokratike të përdorura në kuadër të tyre, po përpiqen që me trillime politike dhe duke mos kursyer mjetet e dhunës, të manipulojnë qytetarët me qëllim që të vijnë në pushtet.\"
Qeveria e Republikës së Kosovës fton partitë opozitare që të heqin dorë nga manipulimet dhe kauzat fiktive dhe që të jenë pjesë e dialogut institucional për avancimin e proceseve integruese euroatlantike, zhvillimin ekonomik e social dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetit, në partneritet me SHBA-të dhe vendet tjera mike.