Qeveria tërheq Projektligjin që ka qenë kusht për liberalizim
Prishtinë, 17 dhjetor - Qeveria e Kosovës për herë të dytë ka tërhequr nga Kuvendi Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, pa asnjë shpjegim.
Kurse një herë tjetër Projektligji nuk ka arritur që të kalojë nëpër të gjitha procedurat parlamentare për shkak të shpërndarjes së Kuvendit. Miratimi i këtij ligji është një nga kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave, shkruan sot Koha Ditore.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, pavarësisht se ka kaluar nëpër të gjitha procedurat qeveritare dhe parlamentare, është tërhequr nga rendi i ditës i seancës plenare të hënën.
Megjithëse nga Qeveria nuk kanë dhënë arsyet e vërteta të tërheqjes, problem duket të jetë fakti se ligji e ndalon kategorikisht që një zyrtar ti mbajë dy e më shumë poste.
Më shumë se 800 zyrtarë publikë mbajnë nga dy deri në pesë vende të punës. Ky fakt vazhdon të përmendet si problem shqetësues edhe në Raportin e Progresit për Kosovën.
Madje në raport përmendet edhe fakti se disa zyrtarë nuk e ndalin rolin e tyre aktiv në kompanitë private kur marrin përsipër postet publike. Sekretari i Kuvendit, Fitim Krasniqi, i ka thënë gazetës se ende nuk i di arsyet e tërheqjes së këtij projektligji.
/Koha Ditore/