Qeveria të deklarohet për tribunalin
Prishtinë, 27 mars - Deputeti i Vetëvendosje!-s, Rexhep Selimi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të deklarohet rreth zërave për krijimin e një tribunali për hetimin e krimeve të pretenduara të UÇK-së.
Selimi, ka thënë se Kosova ka nevojë për drejtësi që buron nga brenda, e jo për një tribunal i cili do të merrej me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një intervistë për Epokën e re, Selimi është shprehur kundër idesë për themelimin e tribunalit për hetimin e krimeve të pretenduara të UÇK-së.
Nuk mendoj se një tribunal i cili paragjykon UÇK-në si të fajshme ose si të përfshirë në krime është drejtësi. Kjo nuk është drejtësi. Kosova ka nevojë për drejtësi që do të buronte nga brenda, e cila drejtësi, edhe po të vinte nga jashtë, duhet të ishte e mirëseardhur por, si duket, kjo nuk është drejtësi, por ndërhyrje në atë që u takon qytetarëve të Kosovës, pra ndërhyrje në vlerat më sublime, siç është lufta e UÇK-së, është shprehur ai.
Selimi i ka kritikuar ashpër institucionet e Kosovës, sidomos Qeverinë, e cila, sipas tij, është duke u treguar inferiore ndaj këtij tribunali.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë do të duhej ti dilnin në ballë kësaj çështje, e jo të fshihen tani. Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, sidomos Qeveria, duket e strukur diku dhe është duke u treguar inferiore ndaj kësaj çështje, ka thënë Selimi. Ish-njëri nga themeluesit e UÇK-së ka thënë se askush në botë nuk mund ta bëjë UÇK-në kriminale.
Pavarësisht tendencave, askush nuk mund të nxjerrë argumente juridike që UÇK-në do ta bënte fajtore për luftën e drejtë dhe të pastër që ka bërë, ka thënë Selimi