Qeveria të anulojë vendimin e kundërligjshëm për ndarjen 95.000 eurove
Vendimi i lartë-përmendur cenon rëndë parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.
Nga analiza e IKD-së lidhur me vendimin e lartë-përmendur rezulton se Qeveria e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me këto parime, duke miratuar një vendim që është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, duke dhënë kompensim shtesë për një kategori të caktuar të shërbyesve civil për të kryer detyra dhe përgjegjësi, të cilat i kanë të përcaktuara në ligj dhe kontratën e punës.
Për më tepër, lista e personave që përfitojnë nga një vendim i tillë i qeverisë janë kryesisht pozita të larta në shërbimin civil, ku shumica kanë pozitën e drejtorave apo udhëheqësve të divizioneve apo zyrave tjera në Zyrën e Kryeministrit apo ministrive të caktuara.
Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim së paku me dy ligje, Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike. Mos reagimi i qeverisë dhe mos anulimi i këtij vendimi do të ketë pasoja juridike që hyn në kuadër të sferës penale, respektivisht shkeljes së dispozitave të Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik.
IKD kërkon nga Kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar që të reflektojë, duke e anuluar Vendimin nr. 10/2014 i datës 23 maj 2019.
Për më shumë lidhur me këtë kërkesë, IKD i është drejtuar me letër zyrtare Kryeministrit Haradinaj dhe Ministrave të Qeverisë që të reflektojnë mbi këtë vendim të kundërligjshëm, duke e anuluar.
Nëse Kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar nuk reflektojnë, ftohen organet e ndjekjes që të zbatojnë obligimet ligjore në drejtim të hetimit të këtij vendimi dhe përfitimeve të kundërligjshme prej tij.
Gjeni të bashkangjitur edhe letrën e dërguar Kryeministrit Haradinaj dhe kabinetit qeveritar.