Qeveria shpreh keqardhje vendim e Gjykatës së Hagës
Prishtinë, 21 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përcjellur me vëmendje procesin gjyqësor të shkallës së dytë dhe shpreh brengosje për procesin e rigjykimit ndaj Ramush Haradinajt dhe luftëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për këtë vendim të gjykatës, mirëpo është e bindur se z.Haradinaj do të dëshmojë pafajësinë e tij në rigjykimin e pjesshëm, ashtu si në rastin e gjykimit të tij në këtë gjykatë, e cila e kishte shpallur i pafajshëm.
Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë për liri dhe demokraci, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit, dhe ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës.
Institucionet, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe vete z. Haradinaj kanë dhënë provat e bashkëpunimit dhe të besimit në drejtësinë ndërkombëtare, një gjë e cila po rikonfirmohet edhe në rastin aktual.
Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje qytetarëve që të kenë besim në drejtësinë ndërkombëtare, duke shprehur besimin e plotë se të bashkuar do ti tejkalojmë të gjitha sfidat para nesh, për çka qeveria jep garancione të duhura.