Qeveria shpreh keqardhje për qasjen destruktive dhe përdorimin e dhunës
Prishtinë, 16 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përmes një deklarate në mbledhjen e Kabinetit Qeveritar, ka shpalosur qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.
Deklarata e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në mbledhjen e Qeverisë:
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, shpreh keqardhje për qasjen destruktive dhe përdorimin e dhunës nga ana e opozitës karshi institucioneve përfaqësuese, kushtetuese dhe shtetërore të Republikës së Kosovës.
Jam i bindur se veprimet e kohëve të fundit të partive opozitare, nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Kosovës. Ato madje bien ndesh me interesat e tyre sepse ato veprime e dëmtojnë Kosovën, imazhin e saj dhe të ardhmen e saj. Po ashtu, veprime të tilla bien ndesh me ligjin, me kodin etik dhe me traditën tonë.
Pa dashur të ndërhyjë në punën e tyre dhe ta cenojë pavarësinë që u garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kërkoj nga organet e rendit dhe drejtësisë ti ndriçojnë të gjitha ngjarjet e fundit dhe të vendoset drejtësia në vendin tonë. Ne jemi përcaktuar për Kosovën shtet ligjor dhe nuk ka e nuk do të ketë zmbrapsje nga ky qëllim.
Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës kërkoj të zhbllokohet sa më shpejt puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ne të vazhdojmë me përmbushjen e obligimeve që kemi marrë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo duhet të bëhet duke zbatuar rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe është e gatshme çdo herë që për veprimet dhe punën e vet ti përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj, na duhet Kuvendi funksional. Që të raportojmë për atë çka po bëjmë dhe ta respektojmë procedurën demokratike, të krijojmë hapësirën për të vazhduar me angazhimet tona për qeverisjen e vendit sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për debat të hapur në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Edhe për marrëveshjet e fundit të nënshkruara në Bruksel, sepse jemi të bindur se ato janë në interes të Kosovës dhe janë në përputhje të plotë me ligjin dhe Kushtetutën e vendit tonë.
Institucionet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garantë të këtij procesi. Ne kemi mbështetjen e tyre të plotë që secila marrëveshje që arrihet të jetë në të mirë të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Ne kemi dorëzuar në Bashkimin Evropian një raport lidhur me zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe presim që Bashkimi Evropian të na mbështesë për krijimin e parakushteve për zbatimin e marrëveshjeve, ashtu siç janë nënshkruar ato.
Ne do të insistojmë në shpërbërjen dhe zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në tërë Kosovën. Do të këmbëngulim që Serbia të zbatojë marrëveshjet ashtu siç janë dhe do të jemi të vendosur që të aplikojmë reciprocitetin nëse paraqitet nevoja.
Me procesin e bisedimeve në Bruksel, Kosova synon të përmbyllë problemet me të cilat ballafaqohet që nga përfundimi i luftës dhe të hapë perspektivën e saj zhvillimore dhe integruese. Prandaj, çdo kërkesë ultimative për tiu shmangur këtij procesi, e dëmton Kosovën sepse e cenon perspektivën e saj euro-atlantike dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet tjera mbështetëse të lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe demokracisë së Kosovës.
Mbi këto parime, si kryeministër i vendit, jam i gatshëm në çdo kohë të ballafaqohem me këdo, të bisedoj në Kuvend apo edhe në ndonjë tryezë tjetër. Por, nuk jam i gatshëm të pranoj ultimatume dhe kërcënime, sepse jam i bindur se Kosova nuk ka arsye të mos u besoj partnerëve të saj dhe ta vë në pikëpyetje orientimin e saj pro-perëndimor, të vendosur me shumë mund nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova dhe nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të gjithë ne jemi dëshmitarë se, në pamundësi për ti bërë oponencën përcaktimit tonë të palëkundur për partneritet euroatlantik dhe qeverisjes sonë të bazuar në program dhe në plan të punës, partitë opozitare po veprojnë përmes një plani të orkestruar, në thelbin e të cilit tashmë nuk fshihet qëllimi i tyre kryesor, pengimi, përmes metodave jodemokratike dhe akteve të dhunshme, i punës së Kuvendit dhe të Qeverisë legjitime të Republikës së Kosovës. Ata, madje edhe po deklarohen se duan rrëzimin e kësaj Qeverie dhe zgjedhje të parakohshme, duke vendosur kushte të cilat edhe ata e dinë që janë të parealizueshme dhe për të cilat shumica prej tyre kanë dhënë kontribut dhe kanë shprehur gatishmëri për tu angazhuar kur kanë qenë në kombinime për të marrë pushtetin.
Opozita nuk ka ofruar asnjë alternativë sesi të integrohet veriu i vendit, se si të zhbëhen strukturat paralele serbe, të cilat akoma veprojnë në Kosovë, se si të ushtrohet sovraniteti në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Atyre iu përgjigjet të mbetet problemi i pazgjidhur i Kosovës, vetëm për të ardhur në pushtet mënyrë jodemokratike. Ata kërkojnë zgjedhje duke menduar se edhe zgjedhjet duhet ti bëjnë me gaz lotsjellës nëpër vendvotime. Por ciklin zgjedhor e përcakton ligji, e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës e jo gazi lotsjellës.
Si kryeministër dhe si kryetar i njërës prej partive të koalicionit qeverisës, deklaroj me përgjegjësi të plotë se koalicioni qeverisës është stabil dhe i përkushtuar për ta çuar Kosovën përpara në të gjitha proceset e brendshme politike, agjendën e zhvillimit ekonomik, të krijimit të vendeve të reja të punës për qytetarët tanë, përmbushjen e kritereve për integrimin euroatlantik të Kosovës. Kjo Qeveri, po ashtu, po punon për të krijuar parakushtet që ti qaset me vendosmëri luftës ndaj evazionit fiskal, kontrabandës së mallrave, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ne, partnerët e këtij koalicioni, nuk kemi arsye të zmbrapsemi nga përgjegjësitë që kemi marrë për ta udhëhequr vendin tonë drejt të ardhmes, ashtu sikurse nuk kemi ndërmend ta shndërrojmë Republikën e Kosovës në një shtet që nuk arrin ta menaxhojë veten dhe që nuk e njeh dhe respekton partneritetin me miqtë e vet. Qeveria e Republikës së Kosovës punon sipas ligjeve dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës ka dhe do të ketë karakter unitar, deri atëherë kur qytetarët e Kosovës, përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, mund të vendosin ndryshe. Kosova është shpallur e pavarur dhe është njohur si shtet në kufijtë e saj, brenda sipërfaqes që e ka administruar në vitin 1974. Me pakon e Ahtisaarit, në kapitullin e tetë, pika tre parashihet që territori i Kosovës të jetë sipas gjendjes së 31 dhjetorit të vitit 1988, që do të thotë ai territor që Kosova e ka administruar me Kushtetutën e vitit 1974. Asnjë veprim i kësaj Qeverie nuk do të shkelë asnjë germë të këtyre ligjeve dhe të kësaj Kushtetute. Në këtë përcaktim, kjo Qeveri ka mbështetjen e plotë dhe të vendosur të qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.
Asnjë qytetari apo komuniteti etnik nuk do ti mohohet asnjë e drejtë, e cila garantohet me ligjet dhe Kushtetutën tonë. Por, asnjë qytetar apo grup etnik nuk do të mund të përfitojë asgjë që nuk përkufizojnë ligjet dhe Kushtetuta jonë. Sepse, ligjet dhe Kushtetuta jonë, janë të bazuara në standardet më të mira ndërkombëtare. Sepse ato janë dokumente themeltare të shtetit qytetar.
Ne po punojmë për këtë dhe si kryeministër i vendit, shprehë mirënjohjen time për mbështetjen në këtë drejtim që kemi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian.
Agjenda jonë është e ngarkuar. Kemi shumë punë përpara. Prandaj, unë ju kërkoj angazhim edhe më të madh, që të ecim më shpejt drejt përmbushjes së obligimeve tona për liberalizimin e vizave dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Këto ditë, ne duhet të intensifikojmë angazhimin për të përmbyllur me sukses anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Duhet të angazhohemi bashkërisht për krijimin e konsensusit kosovar për të mundësuar krijimin e Forcave tona të Armatosura, dhe po ashtu besoj shumë se në fund të këtij viti Kosovën do ta gjejmë me datën për liberalizimin e vizave.
Në këtë kontekst, ne me të drejtë presim edhe mbështetjen e opozitës, sepse në të gjitha këto veprime ne jemi bashkë dhe duhet të jemi bashkë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Pra, edhe të atyre që në zgjedhjet e fundit u kanë besuar në alternativat e tyre por që nuk e kanë marrë votën e shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Prandaj, të nderuar zëvendëskryeministra, të nderuar ministra e zëvendësministra, unë kërkoj nga ju që të fokusohemi në punët tona, të përmbushim obligimet tona, të përmbushim programin tonë, të përforcojmë edhe më tutje partneritetin tonë euroatlantik në mënyrë që Kosova sa më shpejt të kapërcej sfidat me të cilat tani ballafaqohet dhe sa më shpejt të integrohet në familjen e madhe evropiane dhe të jetë një shtet zhvillimor dhe shtet prosperues.
Faleminderit.