Qeveria riprocedon në Kuvend amendamentin për Specialen
Prishtinë, 31 korrik - Qeveria e Kosovës sot ka riproceduar në Kuvend amendamentin 24, që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, dhe i cili në seancën e 26 qershorit nuk i kishte marrë votat e nevojshme.
Kryeministri Isa Mustafa para kabinetit qeveritar tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore për riprocedimin e të njëjtave ndryshime kushtetuese në Kuvend.
Ai tha se as Kushtetuta, as Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk e kufizojnë mundësinë e riprocedimit të të njëjtit amandament në Kuvend.
Arsyeja e riprocedimit të amandamenteve ndërlidhet veçmas me përmbushjen e obligimeve të cilat i kamarrë Kosova me Ligjin për ratifikimin e letrës së presidentes së Kosovës me baroneshën Ashton, të aprovuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.\"
\"Ne jemi të detyruar ti zbatojmë ligjet të cilat i aprovon Kuvendi, ndërkaq Kosova duhet të tregojë se është përgjegjëse dhe e zonja të përmbush zotimet e saj para komunitetin ndërkombëtar, të cilat zotime janë ratifikuar me ligj, tha Mustafa.
Mustafa tha se përmes këtij riprocedimi Kosova demonstron në mënyrë të qartë përcaktimin për rend e ligj dhe për arritjen e standardeve të larta perëndimore të drejtësisë.
Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për këto amandamente kushtetuese, e ruan sovranitetin e Kosovës, sepse institucionet e Republikës së Kosovës janë ato që marrin rolin dhe përgjegjësinë për një vendim të tillë. Për neve do të jetë e dëmshme dhe e papranueshme që për këtë çështje të vendoset mbi bazën e Rezolutës 1244, theksoi Mustafa.
Riprocedimin e amandamentit 24 në Kuvend, edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi si shumë të rëndësishëm.
Kjo çështje është ajo që duhet ti largojë ndasitë politike. Përkundrazi, është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore, dhe duhet të shndërrohet në një rrethanë të favorshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, u shpreh Thaçi.
Kryeministri Isa Mustafa kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që sa më shpejt ta thërras seancën për aprovimin e amandamentit që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Mustafa e Thaçi u bën thirrje deputetëve që ti japin mbështetje këtij amandamenti, në mënyrë që të përmbyllet kjo sfidë dhe përgjegjësi e institucioneve të Kosovës.