Qeveria propozon shkarkimin e një anëtari në Bordin e OSHP-së
Prishtinë, 4 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 77- të në të cilën ka miratuar vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme aprovoi vendimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë për Pronësi Industriale, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Po ashtu, kabineti qeveritar aprovoi vendimin për ti propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës shkarkimin e një anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Lidhur me këtë pikë kryeministri Mustafa njoftoi se në seancën e kaluar i është propozuar Kuvendit emërimi i tre anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Organi Shqyrtues i Prokurimit ka gjithsej pesë anëtarë. Tani për tani janë dy anëtarë që aktivisht punojnë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe është një anëtar i cili është në një procedurë gjyqësore, për të cilin sot ne po i propozojmë Kuvendit që të bëhet shkarkimi i tij sipas bazës ligjore, e cila është krijuar me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik. Dhe për të qenë më të qartë në mënyrë që ne të mos vendosim pa argumente, fjala është për Bajram Zogiani, për të cilin më 24 dhjetor 2014 është vënë dyshim për trafikim me qenie njerëzore dhe është arrestuar.
Ai deri më tani ka mbajt diku 14 muaj paraburgim dhe nuk është përfunduar procedura gjyqësore për të, por në të njëjtën kohë nuk është marrë asnjë masë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik.
I është paguar paga, por ai në atë situatë nuk ka mundur ta ushtroj detyrën dhe smund ta ushtroj akoma. Vlerësimi është se ai edhe më tutje nuk duhet të kryej atë detyrë, ndërsa çështja e përgjegjësisë së tij për veprën, është çështje për të cilën duhet drejtësia ta jap gjykimin e vet. Është një arsyetim i cili është i shkruar, për të cilin pastaj është propozimi që ne tia bashkëngjisim vendimit, por arsyet themelore janë këto që i tha zëvendëskryeministri dhe këto që unë po i prezantoj para jush. Kuvendi pastaj do të vendos në mënyrë meritore, sepse përfundimisht vendos Kuvendi i Republikës së Kosovës, tha kryeministri Mustafa.
Kabineti qeveritar aprovoi edhe vendimin për miratimin e shtesës mbi pagën bazë për kushtet e tregut të punës për nëpunësit civil në Ministrinë e Financave.