23 Janar 2025

Qeveria prezanton draftin për Specialen

Prishtinë, 19 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar unanimisht kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për t’i dërguar si informatë Kuvendit të Republikës së Kosovës, Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Gjatë prezantimit të kërkesës, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, theksoi se nuk bëhet fjalë për shqyrtim të miratimit të projektligjit, por është informim me përmbajtjen e tij për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Më tutje, ministri Kuçi shtjelloi në detaje tërë procesin e trajtimit të këtij projektligji, i cili është hartuar krejtësisht nga BE-ja dhe ka filluar me themelimin e grupit teknik nga presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar që të shqyrtohet legjislacioni i pranuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ministri Kuçi, në fund, tha se ky është draft që nuk ka më hapësirë për negocim nga ekipi i ekspertëve, duke theksuar se është menduar që me përmbajtjen e saj të njoftohet Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe më pastaj me procedura të rregullta edhe kushtetuese, edhe me rregullore të Kuvendit por edhe atë të Qeverisë, të merren vendimet adekuate.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar punën e bërë me përkushtim shumë të madh nga ministri dhe grupi i ekspertëve, të cilët kanë qenë njerëz të përgjegjësisë së lartë për fushat që i kanë mbuluar në bisedimet me Brukselin, duke theksuar përpjekjet e tyre që maksimalisht ligji t’i përshtatet kushteve të Kosovës dhe të përmbajë të gjitha elementet të cilat është konsideruar se duhet t’i përmbajë një ligj i tillë.

“Përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime. Një kontribut i madh i grupit ka qenë edhe heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajt në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha.

Ne kemi aprovuar në Qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për këto ndryshime është dhënë mendim pozitiv edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ndryshimet kushtetuese dhe Ligji për Dhomat e Veçanta janë rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes së Republikës së Kosovës me Baroneshën Ashton, që është bërë vitin e kaluar, dhe e Ligjit mbi ratifikimin e këtij letërkëmbimi që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës me mbi dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu bëri të ditur se nuk ka asgjë të re në përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe amendamenteve që nuk ka qenë pjesë e zotimit përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës se do të përmbushen detyrimet ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për vënien e drejtësisë së plotë, duke konsideruar se edhe ky do të jetë një kontribut i Kosovës në këtë aspekt.

“Ritheksoj se as ndryshimet kushtetuese dhe as ky ligj nuk ka të bëjë fare me kontestimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ne do të mundohemi dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të afirmojmë dhe t’i ruajmë vlerat e UÇK-së. Por, çështja është që të zbardhet drejtësia për dyshimet ndaj individëve të caktuar, për të cilët askush nga ne nuk e din se kush janë dhe kush do të jenë, sepse janë çështje që drejtësia duhet t’i zbardh në një proces të plotë të drejtësisë.

Andaj, unë propozoj që ne t’ia dërgojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë fazë si informim, dhe në momentin kur bëhet aprovimi i ndryshimeve të Kushtetutës, me vendim të Qeverisë, projektligjet marrin formën për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

 
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, shprehu vlerësimin më të lartë për punën që ka bërë grupi punues, në krye me ministrin Kuçi.

“Vlerësoj se, në veçanti pas tërheqjes së çështjes apo termit gjenocid që ka qenë e përfshirë në propozimet e para, ne, si Qeveri e pranojmë këtë informatë për ta dërguar edhe si ekip qeveritar.  Është me interes që të pranojmë për t’ia dërguar si informatë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Gjithashtu, duke marrë parasysh edhe kultivimin e raporteve tona me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me këtë proces ne evitojmë edhe pretendimin e kundërshtarëve të pavarësisë që kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit.

Prandaj, mendoj se tërheqja e termit gjenocid, domosdoshmëria e themelimit të kësaj gjykate, obligimet që dalin nga letërkëmbimi i presidentes Jahjaga me baroneshën Ashton, të vitit të kaluar, gjithashtu përgjegjësitë tona që kemi karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe obligimeve ndërkombëtare dhe duke u nisur edhe prej vizionit për të ardhmen evropiane dhe perëndimore të Republikës së Kosovës, mendoj se tani ky Projektligj, e lehtëson orientimin, përcaktimin dhe votimin edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për votim pro”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, po ashtu, shprehu besimin që edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik, në kuptimin e dërgimit të mesazhit të konsensusit qytetar, në të njëjtën kohë.

“Prandaj, vlerësoj se do të ishte mirë dhe me interes që gjithë kabineti qeveritar në mënyrë unike, ti jap këtë mbështetje punës së grupit punues dhe natyrisht jo vetëm si partnerë të koalicionit por shpresoj që në një bazë edhe më të gjerë politike do të kemi një mbështetje edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Tërë ky proces ka kaluar nëpër një proces të një pune të përbashkët të të gjithëve, gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, të luftës së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe të ruajtjes dhe kultivimit të plotë të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian”, theksoi zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
 

Gjatë kësaj mbledhjeje është bërë edhe miratimi i ekstrakteve të procesverbaleve dhe transkripteve nga mbledhjet 24, 25, 26, 27 dhe 28 të Qeverisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)