Qeveria premton reformimin e administratës publike
Prishtinë, 18 qershor - Reformimi i Administratës Publike në Republikën e Kosovës, është një prej prioriteteve dhe objektivave të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.
"Në këtë drejtim janë bërë shumë punë deri me tani, por mbetet edhe shumë për tu bërë, që administrata publike në Republikën e Kosovës të përmbush të gjitha kriteret për një administratë profesionale, të pavarur dhe në shërbim të qytetarit", kështu tha Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në takimin e Grupit të veçantë për Reformën e Administratës Publike.
Ai tha se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që krahas përmbushjes së obligimeve tjera të agjendës europiane, të përmbush edhe të gjitha kriteret për reformimin e administratës publike, duke i kushtuar shumë rëndësi fuqizimit të kapaciteteve administrative për zbatimin e prioriteteve për integrim europian, në pajtim me Planin e Veprimit për MSA dhe Planin e Veprimit për RAP dhe shtoi se në këtë drejtim kujdes i veçantë do ti kushtohet ngritjes së strukturave administrative për zbatimin e acquis të BE-së, si dhe fuqizimin e strukturave administrative për transpozimin e acquis të BE-së.
Zëvendëskryeministri theksoi që në zbatim të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike dhe planit të veprimit për zbatimin e kësaj strategjie janë miratuar një numër i akteve ligjore duke filluar me Ligjin e Shërbimit Civil, Ligjin për Pagat e nëpunësve Civile, Ligji për Administratën Shtetërore, si dhe aktet përkatëse nënligjore për zbatimin e këtyre ligjeve.
Në fund të fjalës së tij, Zëvendëskryeministri Kuçi shprehi besimin që në koordinim me Ministrinë e Integrimit, Ministrinë e Administratës Publike, ministritë dhe institucionet tjera vendore e ndërkombëtare, do te arrijnë të tejkalojnë të gjitha sfidat dhe vështirësitë dhe të përmbushin objektivat për reformimin e administratës publike.