19 Janar 2025

Qeveria përkrah zhvillimin e Mamushës

Mamushë, 13 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar Komunën e Mamushës, ku është pritur nga kryetari Arif Bytyç me bashkëpunëtorët e tij.

 

Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga ministri i Diasporës, Valon Murati, është njoftuar për punët dhe rezultatet e arritura në Mamushë, për investimet në infrastrukturë, zhvillimin ekonomik dhe për fokusimin e kësaj komune në përkrahje të fermerëve dhe bujqve të cilët merren me kultivimin e tokave bujqësore.

 

Gjatë qëndrimit në Mamushë, kryeministri Mustafa, ka vizituar edhe serat e mbjella me domate duke u informuar për rendimentet e mëdha në bujqësi.

 

Kryeministri Isa Mustafa në një prononcim tha se janë bërë hapa të rëndësishëm në Komunën e Mamushës.

“Kemi obligime që të përkrahim këtë komunë në mënyrë që t’i zgjidh çështjet që janë me prioritet. Ka shumë të tilla, por me rëndësi themelore është se ka harmoni shumë të mirë, kemi një menaxhim shumë të mirë të Komunës, kemi zgjidhje të shumë problemeve, të infrastrukturës, shkollës, të institucioneve shëndetësore, kulturore”, tha kryeministri.

 

Më tej, kryeministri Mustafa premtoi se së bashku me ministrin dhe kabinetin qeveritar do të punojnë që të zgjidhin problemin e financimit të komunave të vogla në mënyrë më të mirë.

“Do të bëhet ndryshimi i Ligjit mbi Financat Lokale dhe do t’i përshtatet kritereve që meritojnë komunat që kanë më pak territor dhe më pak popullsi që të përfitojnë më shumë sidomos për investime kapitale sepse edhe përkundër fjalëve shumë të mira të kryetarit, ne kemi nevojë t’i rrisim investimet kapitale për komunat e vogla”, tha kryeministri duke premtuar përkrahje për kyçjen e kësaj komune në autostradë si një përfitim i madh në pikëpamje të kohës dhe ekonomike.

 

Kryeministri Mustafa po ashtu tha se është obligim që të sigurohet uji për këtë komunë.

“Do të merremi vesh me sistemin e ujësjellësit të Radoniqit për kyçjen në Radoniq dhe po ashtu të punojmë edhe te sigurimi i ujit për ujitje. U informova nga kryetari se ka qenë një përkrahje e mirë e Qeverisë, përkatësisht e Ministrisë së Bujqësisë sa i përket bujqësisë këtu. Edhe me subvencione edhe me grante do të vazhdojmë edhe më tutje, sepse në qoftë se kemi mbi 200 hektarë të mbjella me sera është  fjala për një komunë e cila po zhvillon një bujqësi intensive dhe e cila ka një orientim shumë të qartë të zhvillimit ekonomik. Ndërkaq mbetet obligim i yni që të punojmë me investitorët edhe të brendshëm edhe të jashtëm për të tërhequr fabrika këtu të cilat do ta bënin përpunimin e patateve e veçmas domateve, sepse domatja prodhohet më shumë dhe ato t’i shndërrojmë në produkte të gatshme, në mënyrë që të përfitoj komuna, të përfitojnë qytetarët por të përfitojë edhe Kosova nga një bashkëpunim i tillë”, tha kryeministri Mustafa, duke falënderuar kryetarin e Mamushës për kontributin që ka dhënë duke ndihmuar qytetarët e Kosovës për shërim në Turqi.

 

Kryetari i Mamushës, Arif Bytyç, është shprehur i kënaqur me të arriturat e deritashme por ka kërkuar përkrahjen e Qeverisë edhe në disa fusha të tjera konkrete.

 

Ai ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin Mustafa për kyçjen e Komunës së Mamushës në autostradë.

 

Lidhur me sistemin e ujitjes dhe ujit të pijes, Bytyç tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm.

 

“Ekziston sistemi i Radoniqit dhe ekziston sistemi edhe në Mamushë, por duhet kyçja, dhe në këtë drejtim kemi marrë përkrahje nga kryeministri”, tha Bytyç, duke kërkuar përkrahjen e Qeverisë në organizimin e festivalit të domates.

 

“Unë jam i kënaqur sepse jemi model për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Shteti im është Kosova dhe në këtë drejtim ne edhe dje edhe nesër do të punojmë për një Kosovë të integruar në Bashkimin Evropian dhe që me pasaporta të Kosovës të lëvizim lirshëm”, tha Bytyç.

 

Ai, po ashtu, u shpreh i kënaqur me mbështetjen e madhe të Qeverisë.

 

“Pas pavarësisë së Kosovës Komuna e Mamushës ka fituar statusin e plotë dhe sot kemi diku rreth 11 milionë investime në komunë. E gjithë kjo është arritur nga përkrahja e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sot kemi shkollën fillore, shkollën e mesme, shtëpinë e shëndetit, komunën, rrugët, ndriçimin publik. Mungon vetëm kyçja në autostradë dhe kyçja në sistemin e ujit të pijes dhe sistemin e ujitjes së tokave”, th kryetari Bytyç.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)