Qeveria ofron stimulim financiar për gjyqtarët e krimeve të rënda
Prishtinë, 30 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 148-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Pika e parë që mori miratimin e kabinetit qeveritar ishte vendimi për hartimin e Programit për Reforma Ekonomike 2018-2020, si pjesë e dialogut ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës në kuadër të qeverisjes ekonomike.
Programi për reforma ekonomike mbulon periudhën afatmesme trevjeçare 2018-2020 dhe bazohet në kornizën makrofiskale, prioritetet e strukturuara dhe masat tjera të programit të Qeverisë 2015-2018 dhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim Ekonomik.
Duke u bazuar edhe në udhëzimet e Komisionit Evropian përmes programit për reforma ekonomike janë raportuar edhe rekomandimet dhe konkluzionet tjera të përbashkëta nga dialogu ekonomik dhe financiar mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë përfshirë po ashtu në këtë program.
Koordinatori nacional për reformën ekonomike që do të jetë Ministria e Financave, do të përfshijë edhe Zyrën për Planifikim Strategjik të Zyrës së Kryeministrit, Departamentin për Politika Ekonomike dhe Publike në bashkëpunim financiar me Ministrinë e Financave dhe ministritë tjera të linjës sipas nevojave që kanë për përfshirje në program për reforma ekonomike. Në veçanti në këtë program do të përfshihet menaxhimi i financave publike, tregu i energjisë, transporti dhe telekomunikacioni, zhvillimet sektoriale, mjedisi, zvogëlimi i ekonomisë informale dhe çështje të tjera që lidhen me këtë reformë.
Edhe Plani Vjetor i Statistikave për vitin 2018, mori mbështetjen e kabinetit qeveritar. Në këtë plan vjetor janë paraparë dhe janë përfshirë prioritetet që ka Agjencioni i Statistikave, përfshirë edhe resurset njerëzore dhe financiare që i ka në dispozicion. Në punën e këtij programi është përfshirë edhe metodologjia ndërkombëtare e paraparë sipas standardeve të EUROSTAT-it dhe statistikat tjera relevante të cilat do të jenë të besueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe institucionet sa i përket aspektit të vendimmarrjes.
Qeveria miratoi edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të parcelës kadastrale nr.1305-0 e cila preket nga ndërtimi i Stacionit Policor në Komunën e Zubin Potokut.
Qeveria miratoi vendimin për ti rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes për Financim shtesë për Projektin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për nevoja të Doganës së Kosovës.
Dogana e Kosovës ka bërë një kërkesë për mjete në shumë prej 342 mijë euro në mungesë të rishikimit të buxhetit për këtë vit. Këto mjete shkojnë për furnizim me banderola për importin e cigareve dhe pijeve alkoolike në shumë prej 235 mijë euro. Është një shumë tjetër prej 72 mijë euro që i duhet për qiranë, për hapësirat e reja që ka marrë Dogana, si dhe janë disa shpenzime tjera kontraktuese për të zbatuar Dogana vendimin e Qeverisë të datës 22.6.2016.
Edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e shtesave dhe stimulim financiar për 85 gjyqtarë të krimeve të rënda për vitin 2017 mori miratimin e Qeverisë. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë kërkesë që gjithë gjyqtarëve të krimeve të rënda në Kosovë tju ndahet një shtesë prej 300 euro në formë lineare si mekanizëm shtesë për të nxitur ata që ta rrisin efikasitetin në punë në luftimin e krimit të organizuar. Kërkesa për mjete është për 321 mijë e 800 euro për 85 gjyqtarë në Departamentet e Krimeve të rënda në Gjykatën Supreme, Gjykatën e Apelit dhe në të gjitha Gjykatat Themelore në Kosovë. Mjetet për këtë janë paraparë në kuadër të Këshillit Gjyqësor, në buxhetin e rregullt.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë ne.03/104 të datës 10 gusht 2016, i cili ka të bëjë me caktimin e datës së fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi ka punuar në krijimin e kushteve për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe fillimin e mbledhjes së premiumeve dhe bazuar në vendimin e cekur të Qeverisë për përgatitjet e nevojshme, ne si Ministri e Shëndetësisë kemi adoptuar dhe prezantuar para Qeverisë planin e veprimit të aktiviteteve përgatitore për fillimin e mbledhjes së premiumeve nga 1 korriku 2017. Në këtë plan, një nga pikat kyçe, është paraparë, gjë që është harmonizuar edhe me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, amandamentimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore të bëhej në periudhën mars-qershor 2017, por zhvillimet që pasuan me shpërndarje të Parlamentit pamundësuan amandamentimin e këtij ligji dhe me këtë u krijua barriera për procesin përgatitor për fillimin e mbledhjes së premiumeve. Poashtu për shkak të këtyre zhvillimeve, janë shënuar vonesa edhe në disa nga aktivitetet tjera që ndërlidhen me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Bazuar në gjendjen faktike dhe në nevojën që këto aktivitete përgatitore të përfundohen, ju propozoj që mbledhja e premiumeve të shtyhet deri në përgatitjet e parapara në planin e veprimit, tha ministri Rrahmani.
Kryeministri Isa Mustafa tha se është vendimi që mbledhja e premiumeve të fillojë nga data 1 korrik. Ky vendim ka qenë i lidhur edhe me plotësimin dhe ndryshimin e ligjit në Kuvend, që nuk kemi arritur ta bëjmë për arsye të shpalljes së mosbesimit ndaj Qeverisë dhe shpërndarjes së Parlamentit, domethënë kanë mbetur çështjet e papërfunduara. Prandaj, do të ishte mirë që ne ta ndryshojmë vendimin tonë, ta lëmë mundësinë hapur që kur të konstituohet Kuvendi i ardhshëm dhe Qeveria, ata ta vazhdojnë këtë procedurë, mirëpo datat i përcaktojnë ata dhe jo ne, sepse smundemi ne ta përcaktojmë datën kur Kuvendi i ardhshëm do ta bëjë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit dhe kur do të plotësohen të gjitha kushtet ligjore që të fillohet me grumbullimin e premiumeve. Prandaj, ju lus që ta bëjmë ndryshimin, ta lëmë mundësinë e hapur që institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës të vendosin pastaj, tha kryeministri Mustafa.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe vendimi për ti rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes për Financim për Projektin e Konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Projekti ka për qëllim avancimin e legjislacionit për tregti dhe krijimin e ambientit të përshtatshëm për eksport sipas standardeve ndërkombëtare në përputhje me Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare.
Miratimin e kabinetit e mori edhe Raporti i Punës së Këshillit Kosovar për Raportim Financiar. Këshilli i Kosovës për Raportim Financiar gjatë periudhës raportuese ka qenë i fokusuar kryesisht në fushën e avancimit të raportimit financiar, auditimit dhe në fushën e kontrollit të cilësisë së të dhënave financiare.
Kabineti u informua për raportin mbi performancën e të hyrave dhe shpenzimeve publike. Ministri i Financave, tha se për periudhën janar-maj 2017 të hyrat e përgjithshme janë rritur me 3.4 për qind që është 20.8 milionë më shumë krahasuar me periudhën e vitit paraprak.
Kryeministri Mustafa kërkoi në fund të mbledhjes që të shikohet çështja e Rishikimit të Buxhetit dhe disa detyrime që vijnë. Nuk e kemi Kuvendin, kemi probleme shumë të mëdha si ti përballojmë ato. Kisha lutur ministrin që bashkë me këtë të na prezantoj edhe këto probleme dhe pastaj mundemi në një mbledhje të ardhshme të ulemi të bisedojmë se çka duhet të bëjmë sepse janë disa detyrime të cilat nuk presin. Unë dëshiroj që Kuvendi dhe Qeveria të bëhen nesër, në mënyrë që të funksionalizohen institucionet e Republikës së Kosovës ti zgjidhin këto probleme, por problemet objektive tash janë para nesh, tha kryeministri.
Ministri Hoti lidhur me Rishikimin e Buxhetit tha se në mungesë të rishikimit do të ketë përballje me vështirësi në kryerjen e obligimeve. I pari është për skemat pensionale dhe sociale, për shkak të mungesës dhe vonesës në riklasifikimin e veteranëve të luftës. Ne sipas ligjit duhet të vazhdojmë ti paguajmë veteranët e luftës me shumën siç është caktuar me vendimin e Qeverisë në vitin 2015. Në bazë të parashikimit që është bërë bashkë me Ministrinë e Punës, ne këtu kemi një mungesë prej 24 milionë eurosh për të përmbyllur vitin sipas obligimeve ligjore.
E dyta, kemi obligimin për Autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, një pjesë e konsiderueshme e obligimeve që kemi për këtë kontratë janë paraparë nga mjetet që vijnë prej AKP-së, për të cilën ne duhet të ndryshojmë ligjin për AKP-në, për të mundësuar tërheqjen e këtyre mjeteve. Ligji është i gatshëm por në mungesë të Parlamentit funksional është e pamundur që të procedohet. Këtu janë 80 milionë euro, që duhet të gjejmë format se si ti rishpërndajmë, rialokojmë prej projekteve të tjera. E treta, mjetet që na duhen për zgjedhjet lokale ngase i kemi shpenzuar mjetet që i kemi paraparë në buxhetin e rregullt për zgjedhjet lokale sivjet, janë shpenzuar për zgjedhjet e përgjithshme. E katërta, është vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit për kontratën në Ministrinë e Punëve të Brendshme për çështjen e pasaportave prej 5.3 milionë eurove që tash pritet të merret vendimi përfundimtar dhe kjo do të jetë një ngarkesë në veçanti për Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse nga buxheti i Ministrisë së Brendshme sipas ligjit duhet të kryhet ky obligim. Kemi një obligim tjetër prej 0.6 milionë euro për të shlyer obligimin lidhur me hartimin e studimit të fizibilitetit të Trepçës që e kemi iniciuar bashkë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe me AKP-në. Kështu që në total janë 112 milionë euro, që ne kemi mungesë buxhetore për shkak të mosfunksionimit të Parlamentit dhe pamundësisë që të bëhet rishikimi i Buxhetit. Duhet të shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë që i kemi brenda ligjit për rialokime deri në 15 për qind, brenda Ministrisë së Financave dhe deri në 25 për qind në Qeveri. Unë pres që sa më parë të themelohen institucionet dhe të shkohet përpara me zbatimin e buxhetit siç është aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Unë besoj në një mbledhje tjetër së bashku me ministrat përkatës duhet që më në detaje të shkojmë nëpër këto çështje, ata të cilët janë të lidhur me këto çështje që të gjejmë një zgjidhje në mungesë të Parlamentit dhe të rishikimit të Buxhetit, tha ministri Hoti.
Kryeministri Mustafa foli për performancën e të hyrave dhe shpenzimeve. Sa i përket të hyrave buxhetore dhe të shpenzimeve buxhetore karshi Ligjit për Buxhetin, kjo e dyta është çështje për të cilën ne duhet të mendojmë të bëjmë përgatitje, të projektojmë zgjidhjet, në mënyrë që mos të sfidohemi me këto detyrime, të cilat i kemi. Kam biseduar edhe me ministrin e Financave, që të vjen edhe një propozim edhe nga ministri në bashkëpunim edhe me ministritë tjera, sepse në situatën kur ne nuk mund të bëjmë rishikim të buxhetit, atëherë megjithatë duhet të heqim dorë prej disa detyrimeve të cilat i kemi ose disa planeve që i kemi si ministri dhe si Qeveri për të përmbushë disa nga këto detyrime. Ndërkaq, me rishikimin e Buxhetit në momentin kur konstituohet Parlamenti dhe zgjidhet Qeveria e ardhshme, plotësohen këto plane që janë tek ministritë e caktuara, tha kryeministri Mustafa.