Qeveria ndan mjete shtesë për disa institucione
Prishtinë, 15 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese/elektronike, e 69-ta me radhë, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera sipas përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme ishte ai për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e shtesës në pagë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganat e Kosovës, ATK-në, dhe AUV-në, për shkak të angazhimit të shtuar gjatë pandemisë COVID-19, si dhe plotësim ndryshimin e vendimeve të Qeverisë që kanë të bëjnë me mjetet nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve shtesë financiare për Ministrinë e Shëndetësisë, në vlerë prej 10 milionë euro, për blerjen e materialeve, aparaturave mjekësore si dhe angazhimin e personelit shëndetësor dhe mbështetës, për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 8 milionë euro, për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit të cilat do të destinohen për subvencionimin e tarifës për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë.
Në mbledhjen e 69-të, kabineti qeveritar ka aprovuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 500 mijë euro, për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për kryerjen e obligimeve financiare të kësaj ministrie.
Qeveria në këtë mbledhje, po ashtu ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990 të cilët kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor 1999, që kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me datën 2 korrik 1990 dhe me datën 7 shtator 1990 si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.
Në mbledhjen e sotme, qeveria ka aprovuar edhe kërkesën e Sindikatës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 40,000 € (dyzetmijë euro) për mbështetje financiare për punonjësit e saj.
Është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr. 09/09 të datës 01.07.2020 për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt.
- Kaltrina Nuhiu, Ministria e Drejtësisë- zv.kryesuese;
- Agim Krasniqi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, anëtar;
- Mehmet Morina, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtar;
- Kaltrina Hyseni, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, anëtare.
Miratimin e Qeverisë e kanë marrë nismat për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë midis Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Investime, për financimin e projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë Covid-19 për NVM-të”, si dhe për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bashkimi Evropian, i përfaqësuar nga Komisioni Evropian, për Projektin “Mbështetja e BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë”.
Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar edhe vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, prej datës 1 mars deri më datë 31 tetor 2021.