Qeveria ndan 200 mijë euro për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
Prishtinë, 11 qershor - Vendimi i parë i Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka qenë dhënia e mendimit për iniciativën legjislative për Projektligjin për ndryshim dhe plotësim e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, sipas përfundimit të Kuvendit të Republikës ë Kosovës.
Mendimi i Qeverisë me vlerësimet e Ministrisë së Drejtësisë, thekson se iniciativa për këtë Projektligj do të ndihmojë në eliminimin e paqartësive eventuale në procesin e zbatimit; vlerësimin e ndikimit buxhetor nga Ministria e Financave dhe vlerësimin e përputhshmërisë së iniciativës me legjislacionin e BE-së nga Ministria e Integrimit Evropian, do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Qeveria ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës.
Me vendimin e miratuar është zëvendësuar një anëtar i dorëhequr i këtij Bordi.
Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e strukturave për zbatimin e pakos ligjore për Administratën Publike, është ndryshuar përbërja e Komisionit Ekzekutiv të kësaj strukture. Në këtë Komision do të shtohen edhe tre përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit.
Duke vepruar sipas kërkesës së Komitetit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë mjete financiare në shumën prej 200 mijë eurosh, që do të përdoren për nevojat e realizimit të këtij projekti përmes angazhimit edhe të konsulencës së jashtme.
Avni Ahmeti, me vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është emëruar drejtor i përgjithshëm në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Mandati i të emëruarit është tri (3) vite.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar ndryshimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët, që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik në Republikën e Kosovës.