Qeveria mirëpret vendimin për lirimin Haradinajt, Balajt dhe Brahimajt
Prishtinë, 29 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e vendit tonë kanë pritur me gëzim vendimin e Tribunalit të Hagës për lirimin nga të gjitha pikat e akuzave që ishin ngritur kundër ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi e mirëpret vendimin e Tribunalit të Hagës për lirimin e luftëtarëve të lirisë dhe konsideron atë si një vendim të drejtë. Ky vendim është dëshmia më e fortë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht.
Ky proces i stërzgjatur i Tribunalit të Hagës kundër z. Ramush Haradinaj, z. Idriz Balaj dhe z. Lahi Brahimaj ka qenë shumë i dhimbshëm për tu përballuar jo vetëm për ata dhe për familjet e tyre, por ka qenë shumë i vështirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shtetin tonë.
Fatmirësisht, durimi ynë dhe besimi që kishim në drejtësinë ndërkombëtare sot u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës uron ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, z. Idriz Balaj dhe z. Lah Ibrahimaj për lirimin e tyre dhe kthimin në familjet e tyre, kthimin në vendin e tyre për të cilin kanë dhënë aq shumë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi uron të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë fitore të shumë pritur dhe fton qytetarët që të festojnë këtë moment me dinjitet dhe krenari.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi rithekson se lufta jonë për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Kjo u vërtetua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.