29 Prill 2024

Qeveria miraton tri projektligje

Prishtinë, 1 shtator - Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen në të cilën ka aprovuar tri projektligje, katër Rregullore të Punës që rregullojnë funksionimin e segmenteve qeveritare dhe vendime tjera nga fusha e përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.


Qeveria ka miratuar Projektligjin për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me të cilën rregullon këtë fushë të mandatit dhe përgjegjësive të presidentit dhe të gjithë atyre që do të nderohen me dekorata dhe mirënjohje nga institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës. Kjo fushë deri tani ka qenë e rregulluar me akte nënligjore, ndërsa ky Projektligj do ta standardizojë këtë fushë të veprimit të Presidentit të Republikës.


Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Projektligjin për Sistemin e Adresave, i cili do të rregullojë funksionimin e sistemit të adresave zyrtare të personave fizikë dhe juridikë në Republikën e Kosovës.


Projektligji për Qendrën Historike të Kosovës ka marrë sërish dritën e gjelbër në Qeverinë e Kosovës dhe është përcjellë për aprovim në Kuvendin e Kosovës. Ky projektligj e rregullon mbrojtjen e vlerës historike dhe kulturore të Prizrenit, në nivelin lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.


Katër rregullore që kanë të bëjnë me ushqimin, mirëqenien e kafshëve; me higjienën e prodhimeve ushqimore dhe higjienën e ushqimit me prejardhje shtazore si dhe rregullat specifike për kontrollin e ushqimit me prejardhje shtazore të dedikuara për njerëzit, janë aprovuar sot nga kabineti qeveritar. Këto rregullore do të funksionalizojnë edhe më tej Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës.


Qeveria ka aprovuar vendimin për miratimin e Regjistrit të akteve nënligjore, në fuqi, të miratuara nga Qeveria dhe ministritë, për të rregulluar fusha të ndryshme të veprimit dhe përgjegjësive të institucioneve në Kosovë.


Gjithashtu Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin e çmimit për alokimin e brezit të frekuencave për operatorin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.


Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Strategjinë Nacionale dhe Planin e Veprimit Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.