Qeveria miraton themelimin e Gjyatës Speciale
Duke u bazuar në nenin 65 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për avancimin e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë me nevojë rritjen e kapaciteteve të tyre dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Misionin e EULEX-it, është arritur një marrëveshje, në mes të Republikës së Kosovës, respektivisht presidentes së Republikës së Kosovës dhe Zonjës Ashton, të cilën sot e keni para jush dhe e cila në formë projektligji propozohet për ratifikim në Kuvendin e Republikë së Kosovës.
Ky projektligj ka për qëllim të ratifikojë marrëveshjen ndërkombëtare që është arritur në mes të shkëmbimit të instrumenteve mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për misionin e sundimit të rendit dhe ligjit në vendin tonë.
Ky ligj do të ratifikojë marrëveshjen në tërësi, përfshirë këtu pa u kufizuar në zgjatjen e mandatit të EULEX-it, në fushat e parapara deri me 15 qershor të vitit 2016, me përjashtimm të Task Forcës Speciale Hetuese, së cilës mandati dhe pavarësia do ti garantohet me këtë marrëveshje.
Delegimi i autoritetit për emërimin gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, në përputhje me Kushtetutën neni 20, duke iu nënshtruar procesit të verifikimit të emërimeve nga presidenti i Republikës, respektivisht pas aprovimit nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, dhe krijimi i një kuadri për formimin e sistemit të regjistrimit të stafit të EULEX-it, për armëmbajtje e tyre në Republikën e Kosovës.
Me këtë projektligj do të garantohet imuniteti për stafin e zyrës së personelit të EULEX-it dhe përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, në bazë të ligjit për statusin e imuniteteve dhe privilegjeve të vendeve tona.
Ky projektligj përfshin këtë marrëveshje dhe do të jetë pjesë përbërëse e këtij ligji edhe shtojca që e keni bashkë me ju të marrëveshjes së nënshkruar e cila pritet që të ratifikohet nesër në Kuvendin e Republikës së Kosovës tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi gjatë prezantimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtar mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimin Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë .