Qeveria miraton strategjinë për integrimin e komunitetit malazez
Prishtinë, 22 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 138-të me radhë, në të cilin ka miratuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2016, si dhe vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria ka miratuar Strategjinë për afirmimin dhe integrimin e komunitetit malazez në Republikën e Kosovës 2016-2021.
Kjo Strategji është hartuar me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe garantimin e të drejtave të komunitetit malazez në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi, për të drejtat e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.
Kryeministri Mustafa bëri të ditur se për këtë Strategji, kanë biseduar edhe me Qeverinë malazeze.
Ne kemi biseduar edhe në takimin që kemi pas me zëvendëskryeministrin Kuçi me kryeministrin malazez herën e kaluar në Shkodër këtë çështje. Ata kanë shprehur përkrahjen e tyre, por kanë konsideruar që Strategjia duhet të ketë kuptim më të gjerë sesa shoqatën e malazezve e cila është këtu.\"
\"Ndërkohë ne e kemi kontaktuar Qeverinë malazeze dhe ata janë pajtuar që kjo Strategji të jetë ajo që duhet të jetë. Do të thotë, tash Strategjia ka marrë përmasa dhe relacione më të gjëra sesa që fillimisht i ka pas dhe shpreh interesin e të dy vendeve, bëri të ditur kryeministri Mustafa.
Gjatë kësaj mbledhje, është miratuar edhe Nisma për Negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar (Projekti i Subvencioneve) për vitin 2016, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.
Kjo marrëveshje përfshin grant nga Gjermania për rritje ekonomike dhe nxitje të punësimit në zonat rurale, shkarkimin e ujërave të zeza në jug-perëndim të Kosovës, menaxhimin e mbeturinave dhe disa masave shoqëruese, ngrohje komunale dhe shërbime financiare për nxitjen e punësimit në sektorin e bujqësisë.
Qeveria miratoi vendimin për formimin e Grupit Punues me përfaqësues të ministrive relevante dhe në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore për përgatitjen e Koncept Dokumentit lidhur me Draft Ligjin për Inspeksionet.
Njëra ndër reformat më të rëndësishme që lidhen me punën e institucioneve kosovare, është Reforma e Inspeksioneve, që nënkupton riorganizimin thelbësor në mes të 36 autoriteteve inspektuese, konsolidimin e tyre në jo më shumë se 15 apo 16 sosh dhe amendamentimin e ligjeve që rregullojnë punën e këtyre autoriteteve inspektuese, si në nivel qendror ashtu edhe në lokal.
Pjesë e këtij grupi punues do të jenë ministri përkatëse, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra e Bankës Botërore.
Po ashtu, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Odën Ekonomike të Kosovës për organizimin e Panairit Tradicional të Përgjithshëm Ndërkombëtar Prishtina 2017. Panairi, që mbahet 19-22 prill 2017 në Qendrën e Panaireve në fshatin Bërnicë të Prishtinës, vitet e kaluara ka tërhequr numër të madh të vizitorëve dhe ka promovuar bizneset kosovare dhe është bërë ndër ngjarjet më të rëndësishme në promovimin e biznesit në Kosovë.
Gjatë kësaj mbledhje, kabineti qeveritar ka marrë vendim edhe për emërimin e Bordit Menaxhues të Lotarisë së Kosovës si dhe e ka emërimin e z. Shpend Tërdeva, Sekretar të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.