Qeveria miraton strategjinë kundër korrupsionit deri në vitin 2023
Me vendimin për miratimin e kësaj Strategjie obligohen të gjitha institucionet e përmendura në Strategjinë kundër Korrupsionit dhe Planin e Veprimit 2021-2023, për zbatimin e saj.
Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit është një detyrim që rrjedh edhe nga legjislacioni në fuqi, respektivisht nga korniza ligjore që mbulon deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesit, mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe është një obligim që rrjedh nga anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë për luftën kundër korrupsionit.
Strategjia kundër Korrupsionit 2021-2023 dhe Plani i saj i Veprimit është përgatitur me një qasje gjithëpërfshirëse që të trajtojë korrupsionin si një agjendë horizontale, ku të gjitha institucionet relevante ndër-veprojnë për zbatimin e saj.
Ajo përmban veprime prioritare, kryesisht nën përgjegjësinë e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për fuqizimin e mekanizmave përkatës për luftimin e korrupsionit, rritjen e transparencës së veprimeve të institucioneve publike, integritetin e zyrtarëve publikë dhe transparencën në procedurat e rekrutimit të tyre, përmirësimin e kornizës ligjore kundër korrupsionit, etj.
Sidoqoftë, Agjencia Kundër Korrupsionit rekomandohet që, në kuadër të përgjegjësive të saj, të plotësojë dhe përforcojë vazhdimisht Strategjinë dhe Planin e Veprimit, në mënyrë që këto t’i përgjigjen në vazhdimësi sfidave dhe pengesave të identifikuara në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Duhet theksuar se, meqenëse parandalimi dhe luftimi i korrupsionit është një fushë shumë e gjerë dhe është prioritet i kësaj Qeverie, kjo Strategji do të plotësohet, përforcohet dhe do të komunikojë edhe me dokumentet tjera strategjike, konkretisht me Strategjinë e Sigurisë së Kosovës dhe Strategjinë e Drejtësisë, të cilat shumë shpejtë do të sillen për miratim në Qeveri.