25 Dhjetor 2024

Qeveria miraton rishikimin e Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 8 qershor - E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e Grupit Punues ndërinstitucional për rishikimin e  Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës 2021-2030, ka qenë i pari i miratuar në mbledhjen e sotme.

Me ndryshimet e bëra, Shefi i Stafit në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës është kryesues i grupit punues, ndërsa këshilltari për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes i kryeministrit është zëvendës-kryesues i Grupit Punues dhe Hajriz Sejdiu nga Qendra për Menaxhimin e Emergjencave, anëtar.

Afati i rishikimit të Strategjisë së Sigurisë të Republikës së Kosovës është deri më 1 shtator 2021, nga dita e hyrjes në fuqi e këtij vendimi.

Në vazhdim të mbledhjes, ka marrë miratimin Projektligji për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për Financimin e Projektit për Rehabilitimin e Linjës  Hekurudhore 10.

Me këtë Ligj ratifikohet marrëveshja në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.

Është miratuar në vazhdim të mbledhjes edhe vendimi për shtyrjen e afatit për katër (4) muaj për të paraqitur Draftin e Strategjisë se Qeverisjes Elektronike për miratim ne Qeveri. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarr hapat e nevojshëm për finalizimin e draft-strategjisë për qeverisjen elektronike.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar nëntë  (9) nisma për negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare:

1. Për Financimin e "Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19, Financim shtesë", ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim. Marrëveshja është vazhdim i marrëveshjes paraprake dhe synon të sigurojë edhe 15 milion euro për menaxhimin e pandemisë COVID-19;

2. Për Amendamentimin e Marrëveshjes mbi përvetësimin e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim;

3. Për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës, e përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për Projektin "Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore në Kosovë - Faza 1". Marrëveshja do të sigurojë 20 milionë euro për financimin e projektit;

4. Për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës, dhe Bankës Evropiane për Investime dhe Ndërmarrjes Publike "Termokos" për "Shërbimet e konsulencës për ta mbështetur zgjerimin e ngrohjes qendrore në Prishtinë". Marrëveshja do të sigurojë mbështetje teknike në vlerë prej 1,5 milion euro;

5. Për Amendamentimin Nr. 01 të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Hapjen e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar Krushevë (DRAGASH)- Shishtavec (KUKES) në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë;

6. Për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Rregullimin e Regjimit të Trafikut Lokal të Kufirit;

7. Për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Heqjen e Leje qëndrimit të Përkohshëm;

8. Për lidhjen e Marrëveshjes për Bashkëpunim në Fushën Juridike ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit; dhe

9. Për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare e të partneritetit për "Menaxhimin e Grant-kontratës të asistencës teknike në kuadër të  programit për Bashkëpunim Ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë (2014 - 2020)"

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin Vjetor të Statistikave për vitin 2020, sipas procedurave të parashikuara në Rregulloren e Punës së Qeverisë.

Raporti përmban të gjitha të dhënat e nevojshme  dhe në përputhje me legjislacionin që rregullon funksionimin e statistikave në vendin tonë. Pas miratimit nga Qeveria ky raport dërgohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar në mbledhjen e sotme Projekt-udhëzimin Administrativ për Regjistrimin e Zyrave së Përfaqësisë të Shoqërive të Huaja Tregtare, që është kërkesë e Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe përmes tij përcaktohet procedura e regjistrimit të zyrave përfaqësuese të shoqërive të huaja tregtare në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.

Pas shqyrtimit, ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe Drafti i Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike për vitin 2021, i cili synon arritjen e rezultateve në fushat:

- Sistem i avancuar, adekuat për menaxhimin, monitorimin dhe zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil dhe krijimin  e mundësisë për një shërbim civil profesional, efikas dhe efektiv që do të zhvillohet në bazën e parimeve të administratës së mirë dhe të orientuar drejt zbatimit të obligimeve ligjore.

- Shërbime administrative publike të qasshme në mënyrë të lehtë, me përdoruesin në qendër, duke ndjekur procedura administrative të cilat përmirësojnë në vazhdimësi bazuar në informata kthyese të përdoruesve.

- Administratë publike transparente dhe llogaridhënëse, me organizim të qartë dhe racional dhe linja të qarta të llogaridhënies midis organeve të administratës publike.  

Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, Bedri Zyberaj, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, emërohet anëtar i këtij Këshilli.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për rimbursimin në formë të kompensimit për pjesëmarrësit të cilët i kanë tërhequr dhjetë për qind (10%) të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, duke filluar nga viti 2023. Shuma e rimbursuar për çdo vit fiskal deri në masën e përcaktuar me Ligjin për ndarjet buxhetore në vitin fiskal përkatës. Janë 372,650 persona përfitues në shumën totale 101,772,415.81 Euro.

Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për Krijimin e Komitetit Nacional Koordinues për hartimin e Planit Nacional të Veprimit për vitet 2022-2024, në kuadër të partneritetit për qeverisje të hapur.

Vendimi obligon Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal që të fillojë me procedurat e krijimit dhe të udhëheqjes së këtij Komiteti në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile.

Në mbyllje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar anëtarët e kabinetit për angazhimin e tyre në përgatitjen e raportit të punës për 100 ditët e para të kësaj Qeverie. Kryeministri ka theksuar se qytetarët e vendit duhet të informohen për gjithë punët dhe arritjet e këtij kabineti në funksionimin 100 ditor të Qeverisë së Kosovës, në këtë mandat.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)