Qeveria miraton raportin vjetor të punës për vitin 2016
Prishtinë, 10 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 136-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Pika e parë që mori miratimin e kabinetit qeveritar, ishte raporti vjetor i punës së Qeverisë për vitin 2016. Gjatë prezantimit, zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, tha se raporti është një mundësi e mirë për të informuar për punën dhe arritjet që ka bërë Qeveria e Kosovës në raport me Kuvendin e Kosovës, me donatorët, por edhe me qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ky raport që është gjithëpërfshirës ka për qëllim që të shoh progresin e arritur në realizimin e prioriteteve të Qeverisë që kemi pasur në vitin e kaluar dhe në veçanti ka për qëllim që të jetë pikë reference për programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për prioritetet strategjike edhe për këtë vit.\"
\"Raporti është një mjet i komunikimit të arriturave të Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe me qytetarët e Kosovës, dhe me veprimet e domosdoshme që duhet ti ketë marrë Qeveria e Kosovës në tërësi dhe në veçanti edhe ministritë.\"
\"Gjatë vitit 2016 Qeveria e Kosovës ka punuar në realizimin e pesë prioriteteve kryesore të cilat kanë qenë shtylla të programit të Qeverisë për vitin 2015-2018 sikurse që janë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, sundimi i ligjit dhe sundimi i shtetit të së drejtës, agjenda evropiane dhe politika e jashtme, arsimi, kultura, shkenca, sporti dhe zhvillimi rinor dhe shëndetësia moderne.\"
\"Besoj se të arriturat dhe rezultatet kanë qenë të prekshme për qytetarët e Kosovës, tha zëvendëskryeministri Kuçi, duke theksuar se ky raport do të publikohet dhe në të do të kenë qasje qytetarët e Kosovës dhe opinioni publik, për tu njoftuar për të arriturat dhe punën që është bërë vitin e kaluar.
Kryeministri Isa Mustafa, lidhur me këtë tha se raporti sublimon punën e tërësishme të Qeverisë dhe është pjesë e kontributit të çdo ministrie dhe çdo agjencioni qeveritar veç e veç.