Qeveria miraton Projektligjin për Veteranët e UÇK-së
Prishtinë, 5 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore. Mbledhja është drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi.
Në fjalën e hapjes, kryeministri Thaçi ka bërë prezantimin e projektligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Qëllimi i nxjerrjes së këtij ligji, është përcaktimi i të drejtave dhe benificioneve të veteranëve të UÇK-së, ushtarëve të Kosovës, të cilët me sakrificën, angazhimin dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, ishin faktorë vendimtar për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë së qytetarëve të Kosovës.\"
\"Realizimi i të drejtave në benificione të përcaktuara në këtë ligj, bëhen për shkak të nderit dhe respektit që gëzojnë në popullin e Kosovës dhe më gjerë, për shkak të sakrificës së tyre; veteranëve të UÇK-së, ushtarëve të Kosovës, të cilët me sakrificën e tyre sublime dhe kontribut të lartë udhëhoqën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, betejën për liri, me karakter mbrojtës dhe çlirimtar dhe me qëndrimin e tyre të ndershëm dhe patriotik, janë bërë shembull sot dhe për brezat e ardhshëm\", ka theksuar Thaçi.
Me këtë ligj përcaktohen të drejtat në benificione për veteranët e UÇK-së dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre, si dhe procedurat administrative për realizimin e këtyre të drejtave.
Me ligj sipas kryeministrit përcaktohet ndër të tjera edhe Dita e Veteranit, realizimi i së drejtës në pension dhe benificione, pensioni personal i veteranit, shtesa në pension e pleqërisë, lartësia e shumës së pensioneve, pensionet e trashëgimtarëve, shuma e pensioneve për trashëgimtarët, e drejta në shërbime shëndetësore falas, e drejta e përparësisë në punësim, e drejta e udhëtimit, e drejta në riaftësim profesional, lehtësirat për veteranët luftëtarë të UÇK-së, e drejta e stazhit të dyfishtë, përkujdesja për banim, përparësia e pranimit në institucionet arsimore publike, lirimi nga pagesat administrative në shkollimin universitar publik, si dhe vendosjen në shtëpitë e personave të moshuar.
Ky projektligj përfshinë të drejtat dhe benificionet për të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtarëve të Kosovës, në të gjitha periudhat që nga fillimi i rezistencës së armatosur, deri në çlirimin definitiv të Kosovës.
Me këtë projektligj përcaktohet qartë se institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës, do të merr obligimet e tyre ndaj të gjithë kësaj sakrifice ndaj të gjithë atij kontributi, ndërsa jemi të vendosur që asnjë personi, asnjë qytetari, asnjë veterani, edhe kontributin më të vogël apo edhe vetëm një orë nëse ka qenë, të mos i hyhet në hak akujt.
Ky projektligj do të jetë një projektligj, i cili afirmon vlerat e luftës çlirimtare dhe afirmon kuptimin edhe të unitetit politik dhe qytetar ka thënë kryeministri Hashim Thaçi gjatë prezentimit të projektligjit para anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka prezantuar Projektligjin për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, që është miratuar nga Qeveria.
Nxjerrja e këtij ligji bëhet me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe të sigurisë kombëtare. Ligji përcakton veprën penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtritë ose policitë e huaja, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Organizativ për shënimin e gjashtë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku, ka njoftuar kabinetin qeveritar me draftin e programit të manifestimeve që do të organizohen për këtë përvjetor. Manifestime e organizuara do të fillojnë nga data 14 shkurt dhe do të vazhdojnë edhe në datat 15, 16 dhe 17 shkurt. Përveç manifestimeve qendrore, do të organizohen manifestime edhe nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
Strategjia për Komunitete dhe Kthim 2014-2018, është dokumenti i parë i politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës që ka marrë miratimin nga Qeveria. Kjo strategji udhëhiqet nga vizioni i një shoqërie shumetnike në Republikën e Kosovës që synon rrugëtimin drejt një shoqërie demokratike me të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
Strategjia përmban katër objektiva që synohen të realizohen në pesë vitet e ardhshme. Objektivat janë:
Kthimi i qëndrueshëm i personave të zhvendosur brenda dhe jashtë vendit;
Fuqizimi dhe stabilizimi i komuniteteve në Kosovë;
Hartimi dhe plotësimi i kornizës ligjore për komunitete, kthim dhe integrim;
Avancimi i sistemit të menaxhimit të brendshëm në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin preliminar për shpronësimin me interes publik për nevojat e ndërtimit të Kompleksit Memorial Kulla e Zahir Pajazitit në Fshatin Orllan, Komuna e Podujevës dhe Kompleksit Memorial të varrezave të dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares në Koshare, Komuna e Gjakovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin preliminar e shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat prekën nga ndërtimi i segmentit rrugor që lidh Autostradën Vërmicë-Merdare me autoudhën Prishtinë- Hani i Elezit, në zonat kadastrale të Komunës së Fushë Kosovës dhe Komunës së Graçanicës.
Me vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë ndarë 44,280 Euro për punën e Komisionit të Përhershëm Qeveritar për Kufijtë e Republikës së Kosovës.
Me kërkesë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është aprovuar edhe vendimi për përkrahjen financiare të projektit të Asociacionit të Juristëve serb të Kosovës. Ky projekt synon ofrimin e ndihmës juridike dhe profesionale për deputetët e komuniteteve jo shumicë në Kuvendin e Kosovës. Shuma e mbështetjes financiare për këtë projekt është 7000 euro dhe do të sigurohet nga buxheti i ndarë për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.