Qeveria miraton Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes më Serbinë
Në mbledhje është aprovuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave.
Kryeministri Hashim Thaçi, në hapje të mbledhjes ka theksuar se me miratimin e marrëveshjes nga ana e të dy qeverive janë krijuar kushtet për ratifikim ligjor dhe kushtetues të marrëveshjes.
Prandaj, ka vlerësuar kryeministri Hashim Thaçi, miratimi dhe procedimi i këtij projektligji për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nënshkrim nga Presidentja, hapë rrugën e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje nga institucionet e Kosovës dhe nga Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë EULEX, nga KFOR-i dhe nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Në vazhdim kabineti qeveritar ka miratuar Projektligj për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare që Rregullon Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përafruar më 19 prill 2013 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri i Republikës së Serbisë, miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 22 prill, 2013 dhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 22 prill, 2013.
Projektligji ratifikon gjithashtu edhe Planin e Zbatimit për këtë marrëveshje, përafruar më 22 maj 2013 nga Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri i Republikës së Serbisë, miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 24 maj, 2013.
Ky ligj do të zbatohet nga institucionet e Republikës së Kosovës, me ndihmën e Bashkimit Evropian, KFOR-it dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ligji hyn në fuqi menjëherë pas shpalljes së tij nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave, i aprovuar sot në mbledhjen e qeverisë, përcakton ndryshimet e kufijve administrativ të komunave të Republikës së Kosovës. Çështjet të cilat janë adresuar në ndryshimin dhe plotësimin e këtij Projekt-ligji ndërlidhen me ndryshimin e kufijve administrativ të komunës së Gjakovës dhe Prizrenit.
Projekt-ligji për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave përcakton zonat kadastrale të komunës së Gjakovës dhe Prizrenit, si dhe përcaktimin e zonave kadastrale të komunave të reja, Komunës së Rogovës dhe Komunës së Gjonajve.