Qeveria miraton Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Statistikat Zyrtare
Prishtinë, 30 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, 118-të me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore, udhëzime administrative dhe vendime tjera nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës ka marr miratimin e kabinetit qeveritar. Qëllimi i plotësimit dhe ndryshimit të këtij ligji është që Agjensioni i Statistikave të Kosovës të harmonizoj kriteret e performancës së raporteve me kriteret e Eurostatit dhe akteve dhe standardeve tjera evropiane.
Me aprovimin e Rregullores për Menaxhimin Financiar të Fondit për Sigurime Shëndetësore, sot nga Qeveria e Kosovës, është përmbush parakushti themelor për funksionalizimin e këtij Fondi. Rregullorja përcakton rregullat dhe procedurat e menaxhimit të fondeve dhe pasurive të Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Kabineti qeveritar ka miratuar Udhëzimin administrativ për kompetencat, përgjegjësitë, kriteret dhe procedurat për emërimin dhe shkarkimin e zëvendësdrejtorëve në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka aprovuar kërkesën e Presidentit të Republikës së Kosovës për riaktualizimin e Komisionit Qeveritar me qëllim të shqyrtimit të aplikacioneve të mbetura lidhur me Statusin e Dëshmorit të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky komision do të shqyrtojë edhe rreth 100 aplikacione të mbetura deri me datën 23 dhjetor 2016.
U aprovua edhe vendimi për dhënien e Garancisë Shtetërore për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Linja e dytë Kreditore për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës.