Qeveria miraton Projektligjin kundër konfliktit të interesit
Prishtinë, 8 maj - Qeveria e Republikës së Kosovës nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e 28-të të rregullt, në të cilën mori vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.
Pika e parë e rendit të ditës që u miratua ishte Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/l-051 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, i cili ka tri qëllime kryesore: që ta forcoj luftën kundër konfliktit të interesit, që ti plotësoj standardet evropiane për liberalizimin e vizave dhe Raportin e Progresit dhe që të jetë funksional në Republikën e Kosovës.
Kabineti Qeveritar miratoi edhe Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit Kundër Trafikimit me Njerëz 2015-2019, e cila ka për qëllim koordinimin e veprimeve parandaluese dhe luftës kundër trafikimit me njerëz me qëllim të zvogëlimit të rasteve të trafikimit në Kosovë deri në minimum si dhe koordinimin për ofrimin e shërbimeve cilësore për viktimat e trafikimit duke synuar kthimin e dinjitetit të tyre dhe duke parandaluar ri-trafikimin e tyre.
U miratua vendimi për lejimin e hostimit të Regjistrit Qendror të lejeve dhe licencave që lëshohen nga Institucionet Qendrore të Republikës së Kosovës, në domenin Qeveritar të Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu ka aprovuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 40 mijë euro, për përmbushjen e kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2014 në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë.