26 Dhjetor 2024

Qeveria miraton Programin e Qeverisë për vitet 2021 – 2025

Prishtinë, 7 maj - E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 11-të të rregullt, në të cilën ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025 dhe vendime tjera të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria në mbledhjen e saj të sotme ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025 bashkangjitur me shtojcat: Programi Legjislativ për vitin 2021 dhe Planet Strategjike dhe Operacionale të Ministrive.

Programi i Qeverisë pasqyron qasjen dhe parimet që do të ndiqen përgjatë qeverisjes, sikurse dhe prioritetet themelore dhe iniciativat që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend, në të gjitha fushat.

Qeveria synon të fokusohet në dy prioritete themelore dhe më urgjente: Menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, duke synuar që të minimizohen pasojat në shëndetin publik dhe Lehtësimin e pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia, të cilat kërkojnë mobilizimin e potencialit shtetëror.

Vendimi për miratimin e Programit Qeverisës obligon që Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025 të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ka marr miratimin në mbledhjen e sotme edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit për masa të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e  pandemisë COVID-19. Në Vendimin Nr. 01/07, të datës 18.04.2021, shtohen pikat si në vijim:

3A. Ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës për personat që vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut.

3A.1 Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët vijnë nga India, Brazili dhe Afrika e Jugut duhet të karantinohen në shtëpitë (vendin e banimit) e tyre për katërmbëdhjetë (14) ditë duke u testuar dy herë në javë.

3A.2 Pika 3A.1 nuk vlen për shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët qëndrojnë transit (më pak se 48 orë) në shtetet e përcaktuara në pikën 3A.1 të këtij vendimi.

3A.3 Diplomatët e huaj si dhe familjarët e tyre përjashtohen nga fushëveprimi i pikës 3A të këtij vendimi.

Udhëzohen Ministria e  Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministria e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje me fushat e përgjegjësisë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij Vendimi.

Plotësimi dhe ndryshimi është bërë duke marrë parasysh situatën aktuale epidemiologjike në botë, shfaqjen e varianteve të reja të COVID-19, në Indi, Brazil dhe Afrikë të Jugut, rrezikun e bartjes së varianteve të reja nga udhëtimet prej këtyre shteteve, prandaj për parandalimin e ardhjes së varianteve të reja u vendos si në diapozitiv të këtij vendimi.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin me të cilin i delegohet kompetenca e Qeverisë së Republikës së Kosovës e përcaktuar me paragrafin 3 të nenit 14 të Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 tek Ministria e Shëndetësisë, ekskluzivisht për procesin e pagesës së furnizimit me vaksinat për COVID-19, nga prodhuesit - operatorët ekonomik më të cilët arrin marrëveshje Ministria e Shëndetësisë, në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Vendimi autorizon Ministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, që bashkërisht të caktojnë lartësinë e paradhënies së aplikueshme dhe aprovojnë pagesat në emër të paradhënies, sipas pikës 1. të këtij vendimi, e kufizuar në ndarjet buxhetore.

Ky autorizim është i vlefshëm deri në nëntor të vitit 2021, kur sipas paragrafit 4, të nenit 14. të Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, paradhëniet kufizohen në 10%, përkatësisht 5%.

Ka marr miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për aprovimin në parim të nismës për lidhjen e marrëveshjes  “Njohja e kualifikimeve akademike” mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor: Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të formojë Grupin Negociator për finalizimin e marrëveshjes në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për zbatimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me masat restriktive bazuar në situatën në Mianmar/Burma, ndaj tridhjetë e pesë (35) zyrtarëve dhe dy entiteteve nga Mianmar/Burma, të përfshirë në abuzimin dhe shkeljen e rëndë të të drejtave të njeriut në këtë vend.

Masat përfshijnë ngrirjen e aseteve të individëve dhe entiteteve të sanksionuara në Republikën e Kosovës; ndalimin e udhëtimit për individët e sanksionuar; dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve, në mënyrë direkte apo indirekte për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Në vazhdim të mbledhjes është miratuar edhe vendimi për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për implementimin e projekteve dhe propozimeve të komunave.

Programi për Zhvillimin Rajonal synon të përkrahë programet zhvillimore në pesë rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe ka një shumë prej 1.200.000 euro. Është objektiv i vendimit që të mbështeten projektet e investimeve kapitale të cilat kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve në vendin tonë.

Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria ka miratuar vendimin që të lirohen nga obligimi për pajisje më Leje Pune Afatshkurtër për të huajt, shtetasit e Republikës së Shqipërisë që janë me qëndrim të ligjshëm  në territorin e Republikës së Kosovës, e të cilët gëzojnë të drejtën e punës dhe vetëpunësimit. Sipas vendimit, të drejtat dhe detyrimet e të liruarve do të rregullohen sipas legjislacionit përkatës në fuqi dhe janë të njëjta me ato të shtetasve të Republikës së Kosovës.

Përmes një vendimi është plotësuar dhe ndryshuar vendimi për themelimin e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, sipas të cilit në këtë Këshill do të bëjnë pjesë edhe Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Mbrojtjes.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim shtesë për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit për pronat të cilat preken nga realizimi i projekteve infrastrukturore rrugore që janë në ndërtim, si në vijim:

1.      Zgjerimi i Rrugës Nacionale R N2, segmenti “Hyrja në qytetin e Ferizajt;

2.      Zgjerimi i Rrugës Nacionale R 107, segmenti “Hyrja në qytetin e Prizrenit”;

3.      Zgjerimi i Rrugës Nacionale N25.2, “Hyrja në qytetin e Gjilanit; dhe

4.      Rehabilitimi i Rrugës Nacionale N25.3, segmenti “Kllokot – Gjilan”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)