28 Dhjetor 2024

Qeveria miraton një varg vendimesh në mbledhjen e saj të 52-të

Prishtinë, 24 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhje korresponduese elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
 
Vendimi i parë që ka marrë miratimin nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka qenë vendimi  për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 09/50 të datës 21.12.2020. Sipas ndryshimeve dhe plotësimeve të këtij vendimi, mjetet e ndara për ndërtimin e objektit të ri të administratës së Komunës së Lipjanit, në shumën prej 543 mijë e 347 euro kthehen në buxhetin e Ministrisë së Pushtetit Lokal. Gjithashtu sipas këtij vendimi këto mjete transferohen ne Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.
 
Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve shtesë financiare sipas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme/Policia e Kosovës, për kompensimin e angazhimit të shuar në terren të zyrtarëve policorë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj pandemisë COVID-19. Sipas vendimit për zyrtarët aktiv policor do të ndahen mjetet financiare në vlerë prej 1 milion  e 598 mijë e 100 euro. Këto mjete shtesë ndahen për 6 mijë e 124 zyrtarë policorë, nga 100 euro në muaj për periudhën Tetor, Nëntor dhe Dhjetor. Realizimi i pagesës së këtyre shtesave do të bëhet me pagën e muajit dhjetor 2020, përmes Sistemit të Pagave.
 
Ka marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës edhe vendimi  për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë 12/26 të datës 21.08.2020. Sipas këtij vendimi znj. Hykmete Bajrami nga Ministria e Financave, si anëtare e Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, zëvendësohet nga z. Ermal Lubishtani.
 
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për aprovimin e Vlerësimit të Rrezikut Kombëtar të Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit në Kosovë. Vendimi obligon Ministrinë e Financave që të publikojë dhe shpërndajë vlerësimin e rrezikut kombëtar të pastrimit dhe financimit të terrorizmit në Kosovë. Në rast mospublikimi, Ministria e Financave obligohet të publikojë përmbledhje të vlerësimit dhe listën e masave të nevojshme që duhet të ndërmerren.
 
Qeveria gjithashtu ka shqyrtuar Planin e veprimit të rekomanduar për përmirësimin e sistemit të Luftimit të Pastrimit të Parave/Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Me këtë vendim, i cili ka dalë nga rekomandimet për përmirësimin e sistemit të luftimit të pastrimit të parave/luftimi i financimit të terrorizmit, njësia për Inteligjencë Financiare e Republikës së Kosovës është caktuar të bëjë monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Raportit të vlerësimit për të mundësuar rishikimin e efektivitetit të sistemit kombëtar në përputhje me rrethanat sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit.
 
Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar dhe aprovuar vendimi për autorizimin e transferimit të mjeteve  nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, të ndara në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Vendimi i miratuar nga Qeveria autorizon transferin e 21 milion e 510 milion euro nga fondet e huamarrjes nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, të ndara për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Këto mjete transferohen te Fondi Kosovar për Garanci Kreditore.
 
Pas shqyrtimit është aprovuar nga kabineti qeveritar edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shpronësimin e 121 veprave të artit të autorëve bashkëkohorë, të cilat ndodhen në objektin e Hotelit Grand i cili është nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Këto vepra të artit do të barten në Galerinë Kombëtare të Kosovës e cila do të përkujdeset për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
 
Në mbledhjen e sotme Qeveria poashtu ka miratuar vendimin për shfuqizimin e pjesshëm të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë - Nr. 06/2019, për Kushtet Teknike për Import, Deponim, Shitje me Shumicë, Shitje me Pakicë të Karburanteve të Naftës dhe Pastrim të Rezervuarve. Sipas vendimit shfuqizohet neni 6 i Udhëzimit Administrativ. Në titullin e Udhëzimit Administrativ gjithashtu fshihet fjala “dhe Pastrim të Rezervuarëve”.
    
Edhe Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë - Nr. 11/2020 për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve, me vendimin e sotëm është shfuqizuar pjesërisht. Sipas vendimit të miratuar nga kabineti qeveritar është shfuqizuar neni 15 i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë - Nr. 11/2020 për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij, si dhe neni 3 i Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë - Nr. 16/2020 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë - Nr. 11/2020 për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij. Vendimi obligon Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të ndryshojë dhe plotësojë Udhëzimet Administrative. Deri në nxjerrjen e Udhëzimit Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Përcaktimin e Kushteve dhe Kritereve për Subjektet që merren me Tregtimin e Duhanit dhe Produkteve të tij, subjektet të cilat merren me tregtimin e duhanit janë të liruara nga pagesa e taksave për licencim.
 
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka proceduar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për përzgjedhjen e katër (4) anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale. Në listën e rekomanduar janë  këta kandidatë: Festim Kutllovci, Ibrahim Krasniqi, Skender Sallahu, Hasan Fejzullahu, Muharrem Sejdiu, Xhavit Rraci, Basri Kokolli, Sali Mulaj, Burim Fetaj, Ibush Luzha, Bujar Hasimi, Kreshnik Rugova.

Kuvendit të Republikës së Kosovës i janë proceduar edhe kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë: Vehbi Safiu, Luan Morina, Bekim Jakupi.

Qeveria, në takim e sotëm online,  ka ndarë 105 mijë euro për dhjetë (10) OJQ-të Strehimoret e licencuara të cilat ofrojnë shërbime për mbrojtje të fëmijëve, strehimin e viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të trafikimit.

Për shpenzimin e këtyre mjeteve, strehimoret/OJQ-të, obligohen të dorëzojnë raporte narrative dhe financiare në Departamentin e Politikave Sociale dhe të Familjes dhe në Divizionin për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)