17 Janar 2025

Qeveria miraton ndryshimin e Programit Legjislativ të vitit 2016

Prishtinë, 23 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 117-të të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime të tjera.

Pika e parë që mori mbështetjen e Qeverisë ishte vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes të cilës parashihet ndryshimi i afatit kohor për disa Ligje; siç janë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim; Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Ndërsa u propozua që të tërhiqen këtë vit nga plani legjislativ këto ligje: Ligji për Konfliktet Administrative; Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbyesit Civil; Projektligji për Administratën Shtetërore; Projektligji për Pagat që realizohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës; Projektligji për Fondet Investive, Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore si dhe Projektligjin për Ndryshimin e Kodit Doganor.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Kuçi tha se pas bisedimeve që janë zhvilluar me ministrin Jagcillar dhe me ministrin Hoti, Projektligji për Pagat mund të procedohet këtë vit, duke ftuar ministrin Jagcillar që ta përgatit për mbledhje sa më shpejt që është e mundur, por njëkohësisht që ai të quhet projektligj për pagat në sektorin publik.

Kryeministri Mustafa tha se ekziston marrëveshje edhe me BE-në që Projektligji për Pagat, ai për Shërbyesit Civil dhe për Organizimin e Administratës të bëhen njëkohësisht, megjithatë me propozim të Zëvendëskryeministrit Kuçi janë pajtuar që të procedohet me Projektligjin për Pagat sepse është gati dhe janë bërë të gjitha përgatitjet.

“Pastaj, të procedojmë me koncept-dokumentet për këto dy Ligjet tjera, ndërkaq hyrja e tyre në fuqi të bëhet njëkohësisht në mënyrë qe ne pastaj të respektojmë marrëveshjen që kemi me BE-në, por nuk kemi nevojë që të prolongojmë ligjet të cilat i kemi përgatitur dhe në të cilat është punuar për një kohë të gjatë. Prandaj, e kisha lutur edhe ministrin Jagxhillar dhe ministrin e Financave që në këto punë që do të mbeten, që ne ta kemi gati për javën e ardhshme Projektligjin për Pagat që atë mos ta kufizojmë vetëm në paga që realizohen nga Buxheti por për pagat që realizohen nga mjetet publike që nënkupton edhe agjencitë e tjera, edhe kompanitë publike, për ato mjete në të cilat Qeveria është aksionare e këtyre kompanive dhe të vëmë një rregull të përgjithshëm në këtë sistem”, tha kryeministri.

Edhe Projektligji për Legalizimin e Armëve dhe Dorëzimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, Municionit dhe Mjeteve Eksplozive mori aprovimin e kabinetit qeveritar. Me këtë projektligj përcaktohen të drejtat për personat fizik dhe juridik për legalizim të armëve dhe dorëzim të armëve të vogla dhe të lehta, municione, si dhe mjeteve eksplozive, të cilat i kanë në posedim të paligjshëm.

Kabineti ka mbështetur edhe propozimin e zëvendëskryeministrit që t’i jepet një autorizim i Ministrisë së Brendshme në koordinim me Policinë dhe me vendim të Qeverisë të bëjnë amnisti të kohëpaskohshme për dorëzimin vullnetar, të cilët persona nuk do të kenë pasoja juridike.

Qeveria e Kosovës miratoi edhe Projektligjin për Automjete. Me këtë ligj përcaktohen kushtet bazë të pajisjeve dhe instalimeve, të cilat duhet t’i kenë mjetet, dimensionet, masa më e madhe e lejuar dhe ngarkesa boshtore e mjetit, si dhe kushte, të cilat duhet t’i plotësojë mjeti në komunikacion, kushtet për importim, kontrollimi teknik, regjistrimi i tyre dhe çështje tjera, si trajtimi i automjeteve të aksidentuara dhe atyre që kanë dal jashtë përdorimit.

Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Financave, mori aprovimin e Qeverisë.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, po ashtu bëri të ditur se janë duke u bërë planë që edhe disa agjencione tjera si Agjencia e Statistikave dhe AVUK-u dhe disa të tjera të barten në ministritë kompetente, në përputhje me aktet ligjore.

Kryeministri Isa Mustafa ka theksuar nevojën që edhe disa agjenci të tjera, në përputhje me procedurat ligjore, të kalojnë në ministri të caktuara të cilat do të ndihmojnë në proceset e planifikimit.

“Do të shohim se si të bëjmë reduktimin edhe të agjencioneve tjera dhe të Zyrave tjera për të cilat ne mund të vlerësojmë se nuk kemi nevojë t’i kemi aq shumë sa i kemi që ta bëjmë menaxhimin më të lehtë por edhe ta bëjmë një strukturë racionale e cila funksionon por edhe përgjegjësitë e lidhura, sepse të gjithë ne kemi vlerësuar se asnjë ndërlidhje funksionale as të përgjegjësisë s’mundet me pas Agjencioni i Veterinarisë me Zyrën e Kryeministrit edhe këto tjerat janë të njëjta dhe do t’i bartim atje ku në mënyrë funksionale dhe të përgjegjësisë”, tha kryeministri.

Qeveria miratoi edhe Vendimi përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës shoqërore të evidentuar në emër të Shoqatës Vllaznim Bashkim, Zona Kadastrale Prishtinë, vendi Lakërishtë, për nevoja të akomodimit të Institucionit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Republikës së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)