Qeveria miraton ndryshimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit
Prishtinë, 26 maj - Në kuadër të angazhimeve për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit.
Nevojën për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji e ka bërë të domosdoshme, përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave. Projektligji rregullon pajisjen e shtetasve të Republikës së Kosovës me pasaporta biometrike, të pajisura me çip, që është njëri nga kriteret për liberalizimin e vizave dhe qarkullimit të lirë të shtetasve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Strategjinë për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar. Ri-integrimi është rrjedhojë e procesit të riatdhesimit dhe paraqet një nga sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova gjatë periudhës së pas luftës. Numri i shtetasve që kanë lëshuar Kosovën më herët, gjatë dhe pas luftës, ka qenë i konsiderueshëm. Shtetet e Bashkimit Evropian nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë vendbanim të përhershëm apo të përkohshëm për këta shtetas, andaj, këta persona duhet të riatdhesohen.
Në mbledhjen e sotme është vendosur që të ofrohen masa për lehtësimin e shlyerjes së borxheve të bizneseve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. Masat e lirimit nga pagesa e kamatave ndëshkuese, me kusht të pagesës së borxhit tatimor kryesor të biznesit ndaj ATK-së, e aplikuar në fundvitin e 2008-ës, ka dhënë rezultate të mira dhe Qeveria e Kosovës ka vendosur që kjo masë të aplikohet deri me 30 nëntor të këtij viti, sipas kritereve të përcaktuara.
Qeveria ka aprovuar Rregulloren për themelimin e zyrës për të drejtat dhe pronën intelektuale. Rregullorja përcakton detyrat dhe mandatin e zyrës që do të themelohet në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Është aprovuar edhe plani operativ për zhvendosjen e familjeve Rome, Ashkali dhe Egjiptiane nga kampet e kontaminuar me plumb, në lagjet Osterode dhe Lugu i Qeshmes në veri të Mitrovicës. Kjo është edhe një dëshmi për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie.
Gjithashtu, është themeluar Komiteti Drejtues Ndërinstitucional për mbikëqyrjen dhe koordinimin e zbatimit të Planit të Veprimit të Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, për periudhën 2009-2015. Komiteti Drejtues ndërinstitucional do të formohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet qendrore të Qeverisë së Kosovës dhe nga organizatat jo-qeveritare që përfaqësojnë komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për veprimtaritë kërkimore shkencore është hequr nga strategjia legjislative e Qeverisë së Kosovës për vitin 2010. Ky vendim është marr, me arsyetim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për ti dhënë kohë edhe më shumë angazhimit të gjithanshëm të botës akademike si dhe ekspertëve ndërkombëtar në hartimin e këtij ligji.
Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin që në listën e liderëve institucional, që kanë të drejtë të pajisen me pasaportë diplomatike, të përfshihet edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Qeveria ka aprovuar gjithashtu edhe marrëveshjen e arritur në mes të Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Sindikatës së Shërbyesve Civil për ngritjen e pagave të shërbyesve civil.
Në mbledhje është aprovuar edhe Strategjia për Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Situatave Emergjente.