Qeveria miraton disa pako të ligjeve
Prishtinë, 6 maj - Nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën mori vendime dhe aprovoi projektligje nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.
Qeveria fillimisht miratoi pakon e ligjeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë.
Kabineti qeveritar shqyrtoi dhe miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, me të cilin eliminohen pengesat dhe vështirësitë e identifikuara të ligjit aktual
Kabineti miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili ka për qëllim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përcaktohet përbërja e Këshillit, si dhe mënyra e funksionimit të administratës së Këshillit dhe të prokurorive.
U miratua edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-225 për Prokurorin e Shtetit. Plotësim ndryshimet e përfshira në Projektligjin për Prokurorin e Shtetit i referohen krijimit të infrastrukturës së përgjithshme për një funksionim të sistemit Prokurorial.
Më tutje, kabineti qeveritar, pas shqyrtimit e miratoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-199 për Gjykatat. Ky projektligj ka për qëllim eliminimin e të gjitha mangësive, zbrazëtirave dhe vështirësive të evidentuara gjatë zbatimit të ligjit nga ana e gjykatave të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, u miratua edhe Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, cili rregullon të drejtën e kompensimit financiar të viktimave të veprave të dhunshme penale dhe të vartësve të tyre, autoritetet vendimmarrëse si dhe procedurat për realizimin e të drejtës për kompensim në situatat vendore dhe ndërkufitare.
Kryeministri Isa Mustafa ka folur për rëndësinë e pakos prej pesë ligjeve në fushën e drejtësisë, të miratuara në këtë mbledhje. Kjo ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që ndërlidhet me përmbushjen e kushteve dhe kritereve që janë të listuara për liberalizimin e vizave dhe si parakusht për marrjen e vendimit politik të Bashkimit Evropian me qëllim të heqjes së regjimit të vizave për Kosovë, theksoi kryeministri Mustafa, duke falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, që ka punuar në këtë fushë. Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi se tashmë janë siguruar ligjet, të cilat i sqarojnë kriteret për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe poashtu sigurojnë pavarësi të gjyqësorit dhe prokurorisë.
Më tej, Qeveria ka miratuar projekt-udhëzimin administrativ për vlerësim të ndikimit buxhetor për nismat e reja qeveritare.
Po ashtu, u miratua edhe propozim-vendimi për dhënien e pajtimit për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës.
Kabineti qeveritar pas shqyrtimit, miratoi edhe propozim-vendimin për ti rekomanduar Presidentes për dhënien e autorizimit Ministrit të Shëndetësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim Programi për mbështetje shëndetësore Faza e II-të.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka miratuar dhe dy nisma të marrëveshjeve të propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, përkatësisht, Nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Shtetin Gjerman për Punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës si dhe Nismën për lidhjen e Marrëveshjes dypalëshe për heqjen e vizave hyrëse për mbajtësit e pasaportave diplomatike, pasaportave të veçanta dhe atyre të shërbimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit.
Në pikën të ndryshme, kryeministri Isa Mustafa prezantoi kërkesën për ti propozuar Kuvendit tërheqjen e disa projektligjeve nga diskutimi në Kuvend, përkatësisht: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr. 04/L-082 dhe Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore.
Sa i përket kësaj të fundit, kryeministri Mustafa theksoi se do të shihen disa përputhshmëri me kriteret e UNESCO-s, meqenëse tash po propozohet anëtarësimi në UNESCO.
Ndërkaq, ministri i Diasporës, Valon Murati, ka ngritur çështjen e kartonit të gjelbër dhe kërkesave të bashkatdhetarëve në diasporë për të gjetur mundësi për rregullimin e kësaj çështje.
Rreth kësaj çështje, kryeministri Isa Mustafa theksoi se preokupimi që po shtrohet prej bashkatdhetarëve tanë që janë jashtë, meriton të trajtohet dhe meriton kujdes. Ne do të ulemi gjatë javës me disa ministri përkatëse dhe me ministrin e Diasporës, me ministren Tahiri, ministrin e Integrimeve dhe të shohim si ti orientojmë hapat. Natyrisht, këto janë dy procese të ndara. Ne do të bëjmë përpjekje edhe në Bruksel që meqenëse është biseduar shumë edhe është përafruar gati krejtësisht marrëveshja për njohjen e kartonëve të gjelbër, u shpreh kryeministri Isa Mustafa.