Qeveria miratoi strategjinë e re të MKK-së

Prishtinë, 6 shkurt - Në seancën e djeshme të Qeverisë së Kosovës është miratuar strategjia e re e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për periudhën 2014-2018. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtic, në takimin e Qeverisë paraqiti dokumentin dhe kërkoi miratimin e tij.
\"Kam nderin, që në emër të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të prezantoj për miratim në Qeverinë e Kosovës, Strategjinë për Komunitete dhe Kthim 2014-2018. Kjo strategji është rezultat i punës dhe përkushtimit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për të kompletuar dokumentacionin për strategjinë në resursin e saj.
Qëllimi i Strategjisë për Komunitete dhe Kthim 2014-2018 është se kjo strategji do të përdoret si udhëzues gjatë procesit të kthimit, i cili përfshin jo vetëm sektorin e banimit, por edhe aktivitetet e shërbimeve publike, marrjen e dokumenteve personale, shërbimet shëndetësore dhe sigurisë, lirinë e lëvizjes, mundësin e arsimimit në gjuhën e tyre amtare, mundësitë e punësimit dhe qasjen në infrastrukturë.
Ky proces kërkon bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe zhvillimin e politikave operacionale për të kontribuar në mënyrë të suksesshme në procesin e kthimit dhe ri-integrimit, në drejtim të një shoqërie demokratike me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.
Me ndihmën e këtij dokumenti strategjik, synohet që të arrihet kthimi i qëndrueshëm i personave të zhvendosur brenda Kosovës dhe jashtë vendit, riintegrimi i suksesshëm dhe stabiliteti për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, hartimi dhe plotësimi i ligjit për komunitete dhe kthim dhe integrim, si dhe përmirësimi i sistemit të menaxhimit brenda MKK-së.
Kjo strategji është përgatitur nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në bashkëpunim me stafin profesional vendor dhe ndërkombëtar.
Fuqizimi i kësaj strategjie është i një rëndësie të veçantë për shkak se MKK-ja është e angazhuar për adresimin e nevojave personale të personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, me qëllim të krijimit të kushteve për kthim të qëndrueshëm dhe ri-integrim të suksesshëm në një Kosovë shumë-etnike.
Miratimi i këtij dokumenti do të jetë një shembull për të mbështetur procesin e kthimit në Kosovë, jo vetëm nga MKK-ja, por dhe nga Qeveria e Kosovës dhe shoqëria në tërësi. Unë falënderoi për mbështetjen tuaj të fortë dhe të vazhdueshme të punës tonë, mbështetjen që do të inkurajojë të gjithë të zhvendosurit të kthehen në shtëpitë e tyre.
Pra, vendimi juaj për të miratuar strategjinë, pas procedurës së shqyrtimit , do të jetë një kontribut i madh për sigurimin e zbatimit të politikave në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare\", tha ministri Jevtic në takimin e Qeverisë së Kosovës.
Strategjia u miratua unanimisht nga anëtarët e kabinetit qeveritar.