Qeveria miratoi Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave
Prishtinë, 20 prill - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar mbledhjen e tetëdhjetë e pestë, në të cilën janë miratuar vendime nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të ekzekutivit.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, i cili përcakton masat, autoritetet kompetente dhe procedurat për zbulimin, parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Kryeministri Mustafa tha se ky ligj është tepër i rëndësishëm në këtë fazë edhe sa i përket luftës kundër krimit, korrupsionit, por edhe parandalimit të financimit të terrorizmit dhe të ekstremizmit, që është një prej masave që edhe Qeveria, edhe Parlamenti, por edhe institucionet tjera të Republikës së Kosovës duhet ti ndërmarrin në këtë periudhë.
Kabineti qeveritar ka miratuar sot edhe Nismat për lidhjen e Marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Sllovenisë, Austrisë dhe Panamasë për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës.
Me vendim të Qeverisë, është aprovuar edhe vendimi për themelimin e Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Mustafa, tha se është një prej shanseve shumë të mëdha të Kosovës që të përfitoj nga Korporata e Sfidave të Mileniumit.
Është po ashtu një përparësi e madhe e jona që kemi arrit ti plotësojmë kushtet e kësaj korporate që janë shumë rigoroze dhe shumë strikte, veçmas sa i përket forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit. Por ne do të jemi në trajtim të përhershëm të kësaj korporate sa i përket plotësimit të vazhdueshëm të këtyre kritereve. Do të jemi edhe sivjet. Prandaj, ajo që ne e kemi kapërcyer një fazë, nuk do të thotë që ne sduhet të luftojmë që ti mbajmë kriteret dhe ti përparojmë përplotësimin e këtyre kritereve. Por unë shpresoj që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do ta bëjnë këtë. Ne deri më tani kemi bërë përgatitjet për themelimin e Zyrës. Kemi propozuar edhe disa prej kandidatëve për koordinator të projektit dhe për ekonomist kryesor të projektit, sepse janë ato dy vende për të cilat në bazë të bisedave që kemi pas me përfaqësues të MCC-së, kanë kërkuar që fillimisht të plotësohen. Kriteret kanë qenë që këta ti plotësojnë të gjitha kushtet që i kërkon MCC-ja, dhe ne kemi punuar në atë drejtim, dhe këto ditë do të bëhen edhe emërimet në bashkëpunim me USAID-in, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me MCC-në. Prandaj ju kisha ftuar që ne sot të marrim këtë vendim për themelimin e zyrës, ndërkohë me rishikimin e buxhetit do ta kemi më të qartë se sa do të jenë obligimet tona për këtë zyre, sepse ne do të financojmë shpenzimet e zyrës, ndërkaq përfitimet e projektit pastaj shkojnë në zhvillim ekonomik, në zhvillim social, në zhvillim demokratik dhe në forcim të shtetit ligjor, që është një përkrahje tepër e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, tha kryeministri Mustafa.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka njoftuar kabinetin qeveritar për takimet që ka pasur në Washington javën e kaluar me Bankën Botërore dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj edhe me MCC-në.
Kemi diskutuar gjerësisht për përgatitjet që duhet ti bëjmë si Qeveri për funksionalizimin e plotë të kësaj zyre, dhe punët që duhet ti kryejmë në ndërkohë përpara se misioni i MCC-së të vjen gjatë fundit të kësaj jave për të filluar identifikimin fillimisht të sfidave për zhvillim ekonomik, e mandej nga ato do të burojnë projektet. Në bazë të diskutimit që kemi pas me zëvendëspresidentin e MCC-së, ne presim që në vitin 2018 të filloj liferimi i fondeve në vlerë prej 250 milionë dollarë, që janë komplet grant mbështetje e drejtpërdrejt për Qeverinë dhe për shtetin e Kosovës. Unë ju ftoj që sa më parë ta funksionalizojmë plotësisht edhe me staf edhe me resurse të nevojshme këtë zyre, në mënyrë që sapo të vjen misioni i MCC-së në fund të javës të filloj punën konkrete në identifikimin e sfidave dhe të projekteve, tha ministri Hoti.
Qeveria gjithashtu miratoi edhe vendimin për t\'i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatë për anëtarë në Bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Është miratuar edhe plotësim-ndryshimi i vendimit të Qeverisë nr. 07/83, për propozimin e kryetarit dhe të anëtarëve të Komisionit Kosovar të Konkurrencës, për ndryshimin e njërit kandidat që i është propozuar Kuvendit.
Kryeministri Isa Mustafa tha se fjala është te plotësimi i kushteve profesionale, sepse në mënyrë strikte duhet ti përmbahemi ligjit dhe kërkesave ligjore. Kërkesa ka qenë që të jenë ekonomist ose jurist. Të kenë shtatë vjet përvojë pune së paku në fushën e tyre. Prandaj Kuvendi i ka trajtuar të gjitha dokumentacionet dhe ka kërkuar që ne ta bëjmë këtë ndryshim, ka thënë kryeministri Mustafa.