Qeveria miratoi Projekt-Kodin Penal të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 10 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të 41-të, të drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi ka miratuar Projekt-Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe ka aprovuar vendimin për krijimin e Komisionit Ndërministror për projektet zhvillimore të Brezovicës.
ProjektKodi Penal i Republikës së Kosovës, i cili ka marrë sot aprovimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është hartuar në përputhje të standardeve evropiane dhe shënon një hap përpara në reformimin e drejtësisë në Republikën e Kosovës. ProjektKodi Penal i Republikës së Kosovës do të përcillet për aprovim në Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për krijimin e Komisionit ndërministror që do të udhëheqë përgatitjet për projektin për zhvillimin e Brezovicës dhe për ti zbatuar procedurat, me qëllim që të zhvillohet projekti i bazuar në investime private.
Komiteti ndërministrorë do të përbëhet nga:
1. Mimoza Kusari-Lila, zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë
2. Sllobodan Petroviq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,
3. Bedri Hamza, ministër i Financave,
4. Bratislav Nikoliq, kryetar i Komunës së Shtërpcës,
5. Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane, dhe
6. Dardan Gashi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.