23 Janar 2025

Qeveria miratoi Programin e Qeverisë, 2015-2018

Prishtinë, 25 shkurt - Qeveria e Kosovës,ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2015-2018. Qeveria ka emëruar Komitetin për Partneritet Publiko Privat dhe vendimin për shpërndarjen falas të Gazetës Zyrtare për institucionet arkivore të Kosovës të nivelit qendror dhe lokal dhe bibliotekat publike, universitare, komunale, arsimit të mesëm dhe fillor.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar rëndësinë e miratimit të Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2015-2018 dhe ka theksuar se:

“Programi është dakorduar në mes partnerëve të koalicionit dhe po ashtu pas fillimit të punës së Qeverisë është harmonizuar me të gjitha ministritë dhe me të gjitha institucionet qeveritare. Ky program është një dokument politik, i cili paraqet vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës përgjatë mandatit katërvjeçar.

\"Kemi theksuar edhe më parë se orientim themelor i këtij programi janë promovimi i zhvillimit ekonomik dhe i mirëqenies nëpërmjet ekonomisë së tregut; është ndërtimi i një qeverisje efektive, kompetente dhe të përgjegjshme, që do ta forcojë besimin tek qytetarët e Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë; për vitalitetin e Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur; forcimi i demokracisë qytetare, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të secilit qytetar dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të tyre; si dhe promovimi i shoqërisë së dijes që ofron mundësi të barabarta për qasje në arsim, shëndetësi cilësore, në jetën sociale dhe shërbimet publike në përgjithësi.

Në bazamentin e këtij programi qeverisës dhe në filozofinë e tij vepruese, janë vlerat demokratike evropiane, të cilat ne i kemi kultivuar, që është tradita, liria, drejtësia dhe toleranca, transparenca, liria e të shprehurit, liritë individuale dhe kolektive, të cilat paraqesin fondamentin e shoqërisë moderne evropiane në Kosovë.

Në të gjitha politikat e saj, Qeveria do të promovojë dhe do të forcojë vizionin për Kosovën shtet të pavarur, demokratik dhe të integruar në strukturat euroatlantike. Qeveria do të angazhohet fuqimisht për funksionim të pavarur të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke krijuar kushte për ngritje të efikasitetit të këtyre shtyllave të shtetit tonë.

Siç është paraqitur në program, Qeveria do të angazhohet që brenda gjashtë muajve të hartojë Strategjinë Kombëtare të  Zhvillimit të Kosovës 2015-2020, duke bërë për herë të parë në historinë e saj që Kosova të ketë një strategji gjithëpërfshirëse për zhvillim ekonomik dhe kjo Strategji Kombëtare e Zhvillimit Ekonomik do të shoqërohet pastaj në masat për përmirësimit e kapaciteteve institucionale të Kosovës për menaxhimin e politikave zhvillimore.

Ne do të kemi ndihmën e partnerëve tanë dhe Qeveria do të adaptojë një sistem të integruar të planifikimit, si një prej praktikave më të mira dhe më të avancuara të vendeve në tranzicion për zbatimin e programeve qeverisëse.

Duke synuar bërjen e programit të Qeverisë të arritshëm dhe real, programi i është nënshtruar një shqyrtimi të gjerë, ku ka punuar mjaft shumë Zyra për Planifikim Strategjik të Zyrës së Kryeministrit. Ajo ka koordinuar procesin duke përfshirë shqyrtimin e programit qeverisës dhe përgatitjen e planit për zbatimin e programit qeverisës për vitin 2015-2018 dhe në kuadër të kësaj, një pjesë e madhe e ministrive kanë propozuar ndryshime përkatëse në program, propozime, të cilat sigurojnë kontinuitetin e projekteve afatgjata të sektorëve të ndryshëm.

Me këtë, ne kemi arritur që të harmonizojmë në tërësi programin qeverisës, me strategjitë sektoriale dhe nën sektoriale, të cilat i kemi deri më tani dhe po ashtu të gjejmë edhe hapësirat që të intervenojmë edhe më tutje në strategjitë sektoriale.

Pjesë mbështetëse e programit qeverisës, është plani për zbatimin e programit qeverisës, i cili është përgatitur në detaje dhe ai do të shërbejë si dokument informues për kryeministrin, për ministrat, si dhe si mënyrë përkatëse për institucionet tjera qeverisëse, në mënyrë që të planifikojnë operacionalizimin e zotimeve edhe në këtë program. Po ashtu ky plan i zbatimit të programit do të jetë edhe një instrument për monitorimin e zbatimit të programit për katër vitet e ardhshme”, ka thënë kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria e Republikës së  Kosovës ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2015-2018.
 

Në vazhdim, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për emërimin e Komitetit për Partneritet Publiko Privat në përbërje:

1. Ministri i Financave;,  kryesues

2. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, anëtarë

3. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, anëtarë

4. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtarë

5. Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor,anëtarë
 

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shpërndarjen  falas të Gazetës Zyrtare të Republikës së Kosovës për institucionet arkivore të Kosovës të nivelit qendror dhe lokal dhe bibliotekat publike (universitare, komunale, arsimit të mesëm dhe fillor). Këtyre institucioneve do t’u shpërndahen ekzemplarët e mbetur të Gazetës Zyrtare të botuara në formë të librit nga vitit 2012 e deri ne vitin 2015.


Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka informuar kabinetin qeveritar për vizitën e tij në Slloveni dhe për takimet e zhvilluara atje me homologun, ministrin slloven të Financave dhe një takim të zhvilluar me biznesmen kosovarë që veprojnë në Slloveni.

Kryeministri Isa Mustafa po ashtu ka kërkuar nga ministrat që të përshpejtohen përgatitjet për Mbledhjen e Përbashkët që Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbaj me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet në Shqipëri më 23 mars.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)