Qeveria miratoi aneks marrëveshjen për rishikimin e drejtimit të Çakorrit dhe Kullës
Prishtinë, 17 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e 30-të, në shënim të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, mbajti një minutë heshtje në nderim të të rënëve për liri dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj, prezantoi para kabinetit qeveritar aneks marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për rishikimin dhe korrektimin e drejtimit të Çakorrit dhe Kullës, e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar për t’ia përcjellë Kuvendit të Kosovës për miratim.
Kryeministri Haradinaj tha se kjo është një e arritur e institucioneve të Kosovës, në këtë rast e të gjithëve që ishin përfshirë në këtë temë.
“Mendoj se me këtë deklaratë të përbashkët të presidentëve, si aneks i marrëveshjes së mëhershme janë krijuar rrethanat dhe mundësitë që e drejta e Kosovës në territor të respektohet në tërësi dhe bazuar në këtë po ashtu janë krijuar rrethanat që Parlamenti i Kosovës të jetë unik dhe të votoj marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo marrëveshje si e tillë ka po ashtu një element shumë të rëndësishëm që është vullneti politik i institucioneve të Kosovës por edhe atyre të Malit të Zi që vërtet rishikimi dhe korrektimi të jetë substancial dhe të respektohen të drejtat e bazuara në të gjeturat e trupave punuese, në këtë rast të Komisionit të Ri shtetëror të Kosovës dhe njëkohësisht krijimi i trupës së përbashkët Kosovë-Mali i Zi.
Kryeministri Haradinaj përgëzoi Kosovën për këtë marrëveshje të arritur, duke theksuar se institucionet po e tregojnë zotësinë që të gjitha temat e vështira në tavolinë t’i zgjidhin duke e respektuar të drejtën e popullit të Kosovës.