20 Janar 2025

Qeveria merr disa vendime

Prishtinë, 18 shkurt - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e 75-të të rregullt, në të cilën aprovoi rregullore dhe mori vendime, nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Pika e parë e rendit të ditës që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte Rregullorja për shqyrtimin Administrativ të Akteve të Komunave. Kjo rregullore ka për qëllim përcaktimin e procedurave për shqyrtimin dhe vlerësimin e ligjshmërisë si dhe përshtatshmërisë së akteve normative të komunave si dhe obligimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal po ashtu edhe ministrive të linjës dhe agjencive tjera përkatëse.

U miratua edhe Rregullorja për koordinim në mes të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Strukturave Organizative/Zyrtarëve të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit në institucionet e Republikës së Kosovës. Përmes kësaj rregulloreje Qeveria, respektivisht MAP-i kontribuon në reformën e Administratës Publike nëpërmjet avancimit të qeverisjes, avancimin e shërbimeve për ofrimin më të mirë të tyre nëpërmjet qeverisjes elektronike, si një mundësi më e shpejtë, më e lehtë dhe më efiçiente. Aplikimi më i gjerë i qeverisjes elektronike ka për qëllim përmbushjen më të mirë të politikave, sigurimin e shërbimeve më cilësore për publikun, përdorimin më efikas dhe ekonomik të fondeve publike, përfshirje më të madhe të qytetarëve dhe bizneseve, dhe ajo që është më e rëndësishme një nivel më të madh të transparencës për publikun.

Qeveria miratoi edhe udhëzimin Administrativ për Strukturën e Pagesave të Ujit.

Vendimi për zotimin për alokimin e mjeteve financiare për institucionin e Avokatit të Popullit, po ashtu u miratua në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Integrimit Evropian ka njoftuar se në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave një ndër tetë rekomandimet e fundit ishte edhe sigurimi i hapësirës fizike dhe i pavarësisë buxhetore për institucionin e Avokatit të Popullit. “Ne para pak ditësh e kemi zgjidhur çështjen sa i përket hapësirës së Avokatit të Popullit ndërsa sot, na mbetet ta adresojmë edhe çështjen e pavarësisë buxhetore të këtij institucioni. Pasi që kërkesa buxhetore fillestare për vitin 2016, nuk është plotësuar deri më tani, Ministria e Integrimit Evropian dhe Ministria e Financave kanë zhvilluar takime konsultative me Avokatin e Popullit për të dakorduar zgjidhjen e përbashkët të kësaj çështje. Me qëllim që Avokati i Popullit të ushtroj mandatin dhe kompetencat ligjore shtesë për vitin 2016, krahas pakos ligjore për të drejtat e njeriut, respektivisht Ligjit për Avokatin e Popullit, Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligjit për Barazi Gjinore është e nevojshme alokimi i burimeve adekuate financiare shtesë, në një vlerë prej 422 mijë e 148 euro. Në këtë drejtim jemi dakorduar që kjo shumë financiare të alokohet për Avokatin e Popullit në kuadër të procesit të rishikimit buxhetor për vitin 2016. Avokati i Popullit natyrisht është dakorduar me këtë zgjedhje mirëpo është kërkuar nga Qeveria që të miratoj një vendim formal për të konfirmuar zotimin e mjeteve respektive të cilat do të alokohen në kuadër të rishikimit të buxhetit gjatë këtij viti, në një fazë të mëvonshme.Me miratimin e këtij vendimi të sotëm ne përmbushim në tërësi kriterin e Avokatit të Popullit dhe mund të konkludojmë që jemi shumë afër përmbushjes së tërësishme të të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave”, tha ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.

Po ashtu, është marrë vendimi për miratimin e Planit Strategjik  Afatmesëm dhe Programin Vjetor për Rezervat Shtetërore të Mallrave për periudhën 2016-1018. Në Planin Strategjik janë të vendosura kriteret për të gjitha llojet e produkteve të rezervës, duke pasur parasysh nevojën ditore të një personi për produktet e rezervës të shumëzuara për numrin e planifikuar të banorëve dhe më pastaj planifikimi i ditëve të furnizimit. Risi e këtij programi, krahasuar me atë të vitit 2013-2015 është planifikimi i listës esenciale të barnave dhe materialit sanitar, e cila është përpiluar nga grupi punës me ekspertë nga Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe Agjencioni për Produkte Medicinale i Kosovës, dhe MTI, sipas nenit 12 të përcaktuar në Ligjin për Rezerva shtetërore të mallrave.

Qeveria ka miratuar edhe Udhëzimin Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkëta në emër të dy bashkëshortëve. Autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta, të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta, si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave me të drejtën pronësore.

Edhe vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2016 për komunën e Kllokotit pas ri-aprovimit nga Kuvendi Komunal, mori përkrahjen nga kabineti qeveritar.

Ministri i Financave informoi kabinetin qeveritar për Raportin mbi performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore. Të hyrat e përgjithshme për muajin janar janë rritur për 11.4 për qind, krahasuar me janarin e vitit 2015, që është rreth 12 milionë më shumë të hyra të mbledhura gjatë muajit janar. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së të hyrave nga taksat kufitare prej 10.3 për qind, kryesisht nga rritja e sasisë së naftës së importuar, ndërkaq të hyrat e arkëtuara janë rritur me 7 për qind, dhe shpjegimet nga Departamenti i Politikave Ekonomike tregojnë që kjo është shenjë e aktivitetit të shtuar ekonomik në janar të këtij viti krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Ndërkaq, të hyrat tjera jo tatimore ku hyjnë të hyrat vetanake të nivelit qendror por edhe lokal të hyrat nga tantiema dhe nga taksat koncesionare janë rritur në rekord prej 30 për qind, këtë janar krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Tek shpenzimet, viti ka filluar mbarë, të gjitha projeksionet për shpenzime në paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime janë duke shkuar sipas planifikimit. Ka rritje të shpenzimeve në subvencione dhe transfere që është e pritshme për shkak të implementimit të skemës së pensioneve për veteranët e luftës dhe të përfitimeve për asistencë sociale.

Qeveria i dha përkrahje edhe kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për ndarjen mjeteve për Shoqatën e të Ish-Burgosurve Politik në Kosovë, për botimin e katër librave, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit. Mjetet financiare ndahen nga buxheti i MASHT-it.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)