15 Janar 2025

Qeveria me plan për kursim të energjisë

Prishtinë, 2 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur sot mbledhjen e 151-të, të rregullt. Në këtë mbledhje, Qeveria mori vendim për aprovimin e Planit të tretë kombëtar të veprimit për efiçiencë të energjisë për periudhën 2016-2018.

 

Objektiv i këtij plani është arritja e cakut indikativ të kursimit deri në vitin 2018 prej 9 për qind, respektivisht 92 kiloton ekuivalent, veçanërisht për sektorët e konsumit final të energjisë, amvisëri, shërbime, transport dhe industri.

Zyra e Kryeministrit njofton se është aprovuar edhe misma për aderimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – Interpol. Aderimi në këtë organizatë ndërkombëtare ofron mundësi të mëdha të bashkëpunimit në mes të shteteve anëtare për të luftuar me efikasitet kërcënimet ndërkufitare ndaj rendit dhe sigurisë publike si dhe krimit ndërkombëtar duke hyrë në një partneritet me anëtarët tjerë të Interpolit për të mirën e sigurisë.

Lidhur me këtë nismë, kryeministri Mustafa theksoi rëndësinë që ka Interpoli për vetë shtetin e Kosovës, duke vlerësuar punën e ministrive në këtë proces.

“Sivjet konsideroj se shanset janë shumë më të mira, puna është bërë, përkrahja ekziston. Prandaj, ta përkrahim këtë nismë dhe të gjithë së bashku ta bëjmë punën tonë, institucionet tjera ta bëjnë të veten, në mënyrë që në shtator të këtij viti të përfundohet me rezultat pozitiv ky anëtarësim”, tha kryeministri Mustafa.

Po ashtu, u aprovua edhe rregullorja për shitjen me pakicë të obligacioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila përcakton kushtet e përgjithshme për shitjen e obligacioneve, rolin e Bankës Qendrore, shumën minimale për obligacion, procesin e shitjes, përcaktimin e tarifave, tregun sekondar të obligacioneve dhe çështje të tjera.

Edhe Udhëzimi Administrativ për menaxhimin e deponive të mbeturinave, mori miratimin e kabinetit qeveritar, i cili ka për qëllim caktimin e kushteve dhe kritereve për menaxhimin e deponive të mbeturinave me qëllim të parandalimit dhe zvogëlimit të ndotjes së ujit, ajrit, tokës si dhe kontrollimin dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të procesit aktiv të deponisë edhe pas mbylljes përfundimtare në raste të caktuara të deponive të mbeturinave.

Me vendime të ndara, Qeveria ia ka vazhduar mandatin Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Po ashtu, është marrë vendim për reduktimin e fondeve të alokuara në kategorinë e shpenzimeve kapitale të nivelit qendror. Vendimi ka të bëjë me reduktimin e projekteve të cilat kanë zotim por nuk kanë obligim dhe shpenzim, si dhe  projektet të cilat nuk kanë as zotim, as obligim dhe as shpenzim. Projektet mbeten në tabelat buxhetore, por fondet do të ngrihen, deri në rishikimin e buxhetit.

Qeveria ka marrë vendim preliminar për shpronësim për interes publik të pronave shoqërore të KBI “Kosova Export” dhe NSH “Bujqësia”, Obiliqi, të cilat preken nga realizimi i Projektit për renovimin e Stadiumit të Futbollit “Agron Rama” në Komunën e Obiliqit.

Në këtë mbledhje, është miratuar Raporti gjashtëmujor i Buxhetit për vitin 2017. Ndër të tjera, gjatë kësaj periudhe, pranimet kanë pasur një rritje prej 8 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, e realizuar nga të hyrat e rregullta tatimore dhe ato jo tatimore. Pagesat kanë pasur rritje prej 7 për qind, falë rritjes së investimeve kapitale. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, rritje ka pasur edhe nga të hyrat në dogana, 3.9 për qind, si dhe në ATK, 9 për qind.

Kryeministri Mustafa është shprehur i kënaqur me punën e bërë në këto dy institucione, por edhe nga vetë ministritë.

“Konsideroj se ecurit janë shumë të mira, sa i përket të hyrave edhe në Doganat edhe nga tatimet. Problem kemi pasur me realizimin e të hyrave që kemi planifikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe atyre që janë planifikuar më vonë prej Komisionit Evropian, mirëpo nuk janë pjesë e kësaj. Në këtë aspekt, konsideroj se është bërë një punë shumë e mirë e këtyre dy institucioneve, edhe në Administratën Tatimore edhe në Doganën e Kosovës, por edhe punës së ministrive sa i përket shpenzimit të mjeteve të buxhetit me kohë”, ka thënë kryeministri.

Është miratuar vendimi për aprovimin e Statutit të Lotarisë së Kosovës, që përmban dispozita për firmën, selinë, themeluesin e Lotarisë, rregullon veprimtarinë dhe kapitalin themelor të Lotarisë, ndarjen e fitimit dhe sistemimin e të ardhurave dhe bartjen e rrezikut. Po ashtu, është marrë vendim për kompensimin mujor për anëtarët e Bordit Menaxhues të Lotarisë së Kosovës.

Poashtu, u mor vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik të cilat nevojiten për dy qëllime: e para për mbulimin e obligimeve të mbetura kontraktuese nga kontrata me operatorin ekonomik për shpenzime kapitale dhe e dyta për mirëmbajtjen e platformës elektronike nga data 1 gusht, ngase kontrata e mëparshme kalon.

Kryeministri Mustafa theksoi se prokurimi elektronik është një fushë tepër e rëndësishme e cila është përkrahë dhe duhet të përkrahet deri në fund.

Kabineti qeveritar mori vendim për plotësimin e Raportit Vjetor Financiar për vitin 2016.

Gjatë kësaj mbledhje, në të ndryshme, është diskutuar edhe rreth çështjes së energjisë elektrike, si dhe rreth mandatit të ministrave të cilët tashmë janë zgjedhur deputetë.

Kryeministri Mustafa vlerësoi se zgjedhja e tyre deputetë, është sukses i punës së Qeverisë.
“Ne kemi 9 ministra në këtë Qeveri që janë zgjedhur deputetë. Është mirë që janë zgjedh, sepse kjo flet për faktin se ata kanë punuar dhe kanë bërë mirë punën e tyre, në të vërtetë Qeveria e ka bërë mirë punën e saj. Do të thotë është zëvendëskryeministri Kelmendi, ministri Hoxhaj, ministri Hoti, ministri Zharku, ministrja Bajrami, ministri Krasniqi, ministri Rasim Demiri, ministri Abrashi dhe ministri Shala.

Së bashku me Sekretarin, e kemi kërkuar opinionin e Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, dhe ata kanë thënë që praktikisht në momentin që jepet betimi në Kuvend dhe nis së ushtruari detyra e deputetit, atëherë duhet të kemi një deklarim të ministrave, a dëshirojnë që edhe më tutje të mbajnë pozitën e ministrave në detyrë, apo ta lënë këtë pozitë dhe të marrin pozitën e deputetit. Në këtë rast, nuk flitet për shkarkim të ministrave, flitet për lirim nga detyra mbi bazën e pozitës, ushtrimit të detyrës së deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse në momentin kur ministrat votojnë për kryetarin e Kuvendit, ata fillojnë të ushtrojnë detyrën e deputetit, përkatësisht pas betimit, ata veç fillojnë ta ushtrojnë atë detyrë. Unë me dëshirë do të vazhdoja të bashkëpunoja me të gjithë nga ju, deri në dorëzimin e detyrës tek kryeministri dhe Qeveria e re, por më shumë dëshirë kam që të zbatojmë të gjitha rregullat ligjore dhe kushtetues edhe mos të sfidojmë as njërën, as njerëzit, as Kuvendin me këto çështje”, tha kryeministri Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)