Qeveria mbështet fuqishëm operacionin e policisë
Prishtinë, 11 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet fuqishëm operacionin e ndërmarrë në nivel vendi nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit për arrestimin e elementeve ekstremistë të cilët me veprimet e tyre kanë kërcënuar sigurinë kombëtare dhe rendin tonë kushtetues.
Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se organet shtetërore të Kosovës do të mbrojnë me vendosmëri vlerat tona civilizuese euro-atlantike, liritë individuale, sekularizmin, të drejtat kushtetuese dhe ligjore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës fton qytetarët e Kosovës që me këmbëngulje të kundërshtojnë çfarëdo forme të shprehjes së ekstremizmit. Toleranca ndër-fetare dhe ndër-etnike, bashkëpunimi dhe komunikimi i ndërsjellë gjithmonë kanë qenë dhe do të mbesin vlera të pacenuara të shoqërisë sonë. Çdo kërcënim ndaj këtyre vlerave fondamentale të shtetit dhe shoqërisë sonë do të ndëshkohet pamëshirë.