Qeveria Kurti mirëpret intensifikimin e bashkëpunimit midis BE-së dhe Kosovës
Prishtinë, 29 shtator - “Ne nuk kemi fat tjetër përveç Bashkimit Evropian dhe nuk kemi kontinent tjetër përveç Evropës,” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën për shtyp me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në konferencën e organizuar pas vizitës së përbashkët në çerdhen "Cicërimat", e cila është financuar nga Instrumenti për Paraanëtarësim i Bashkimit Evropian, kryeministri falënderoi BE-në, si një ndër donatorët më të mëdhenj në Kosovë.
Duke folur për takimin e sotëm, kryeministri bëri të ditur se kanë biseduar për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ku siç dihet, Kosova është e fundit në rajon dhe faktin se duhet të përgatitemi për aplikim për anëtarësim, në mënyrë që të marrim edhe statusin e vendit kandidat. Po ashtu, edhe për vendimin e vonuar të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, aq më tepër, që në korrik të këtij viti janë mbushur tre vjet, prej se edhe vet Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, kryeministri vuri theksin te nevoja për bashkëpunim më të madh ekonomik në mes të vendeve të rajonit në kuadër të procesit të Berlinit dhe implementimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, pasi heqja e barrierave tregtare dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, sjellë përfitime për të gjitha palat.
Ai shprehu gatishmërinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjeve për lëvizjen e lirë me ID karta, njohjen e diplomave, por edhe njohjen e përbashkët të profesioneve mbi bazën e trajtimit të barabartë të të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Gjithashtu e njoftova Presidenten e Komisionit Evropian, edhe me gjendjen në pikat kufitare 1 dhe 31, në pikat kufitare, pra, Bërnjak dhe Jarinje. Ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri në këtë drejtim përveçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër. Fatkeqësisht Serbia reagoi me forcë, duke grumbulluar trupa te vija kufitare, duke përfshirë edhe tankset “T-72”, automjete të blinduara “Lazar 3” dhe automjete luftarake shumqëllimshme “BOV M16 MILOSH”, dhe përveç këtyre ka angazhuar edhe aeroplanë luftarak rus “MIG29” dhe helikopterë të prodhuar nga Rusia për fluturime gjatë kufirit,” tha kryeministri Kurti.
Ai kërkoi që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinje, pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve ushtarake me tanke, helikopterë e avionë MIG në kufi me Kosovën.
“Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina,” tha kryeministri.
Në përmbyllje të konferencës, kryeministri Kurti theksoi se mirëpret intensifikimin e bashkëpunimit midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës në muajt e vitet në vijim.